NGA HALIL RAMA
Në mënyrë krejt arbitrare dhe në shkelje flagrante të ligjit, KIZ i Universitetit të Mjekësisë Tiranë kërkon të legjitimojë garën për rektor të këtij universiteti me një kandidat të vetëm, rektorin aktual.
Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ) i Universitetit të Mjekësisë Tiranë, me vërtetimin Nr. 36/1 Prot., datë 03.07.2020, ka regjistruar z. Petrit Bara si kandidat për rektor të këtij universiteti. Vërtetimit të regjistrimit të bazuar në nenin 25, pika 5 e Rregullores së Zgjedhjeve, miratuar nga Senati Akademik i UMT, me vendimin nr. 13, datë 12.02.2020 dhe vendimin e KIZ Nr. 7, datë 14.05.2020, i bashkëlidhen gjashtë dokumentet përkatëse të dorëzuar zyrtarisht nga prof. dr. Bara.
Por, në mënyrë arbitrare dhe abuzive, me vendimin nr. 19, datë 07.07.2020, Komisioni Institucional Zgjedhor ka vendosur mosmiratimin e kandidaturës së tij për këtë post.
Pretendimin se KIZ ka qenë në pamundësi të konfirmimit të periudhës së angazhimit të prof. dr. Petrit Barës si personel akademik pranë USHTsë, e rrëzon vërtetimi i Fakultetit të Mjekësisë, Nr. 1393/5 prot., datë 07.07.2020, që provon se prof. dr. Petrit Bara ka qenë pedagog i jashtëm i këtij fakulteti (F.M.) në harkun kohor të tri viteve: 2000-2001, 2001-2002 dhe 2002-2003.
Më konkretisht, me shkresën Nr. 38/1 Prot., datë 06.07.2020, KIZ i Universitetit të Mjekësisë Tiranë i është drejtuar dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, përmes së cilës i ka kërkuar informacion në kuadër të vlerësimit të dosjeve të aplikantëve për rektor të UMT, historikun e punësimit të prof. dr. Petrit Barës pranë këtij institucioni, datat e ndryshimit të statusit akademik pas çdo titulli akademik të fituar, së bashku me gjeneralitetet respektive. Për kërkesën e KIZ drejtuar dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, prof. Bara ka marrë dijeni përmes shkresës Nr. 1393/2 Prot., datë 07.07.2020 të këtij Fakulteti, në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Fakulteti i Mjekësisë i është përgjigjur zyrtarisht KIZ-së, ku konfirmon vitet e munguara në dosje (2000-2003), në të cilat z. Bara ka qenë pedagog i këtij fakulteti. Por KIZ, ndonëse e kishte kërkuar vetë këtë informacion që i ka ardhur po më datën 7.7.2020 (ditë e vendimmarrjes së jashtëligjshme të tij), qëllimisht nuk e ka konsideruar atë. Në vendimin e tij nr. 19, datë 07.07.2020, KIZ ka vendosur mosmiratimin e kandidaturës së prof. dr. Petrit Barës, me arsyetimin se nuk përmbush kriterin e përvojës 20-vjeçare në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në fushën e shkencave të shëndetit, të parashikuara në nenin 20 të vendimit nr. 13, datë 12.02.2020 të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë Tiranë për miratimin e rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet, organet drejtuese dhe komisionet e përhershme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”.
Në këtë kuadër, jo vetëm që përgjigjja e përcjellë në KIZ nga FM provon të kundërtën, por dhe argumentimi i KIZ në marrjen vendimit të tij është i gabuar, pasi kriteret që vendos neni 20 i vendimit nr. 13, datë 12.02.2020 të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës janë kumulative dhe jo të ndara. Pika “a” e nenit 20 shprehet për 20 vjet përvojë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në fushën e shkencave mjekësore.
Studimet e doktoratës si dhe thellimi i mëtejshëm i aftësive profesionale për fitimin e titullit shkencor Profesor i Asociuar, kanë qenë gjithmonë të shoqëruar me kërkimin shkencor. Madje, e njëjta frymë është mbajtur edhe në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, i cili, në nenin 77, pika 4 të tij parashikon: “Studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese”. Për rrjedhojë, jo vetëm që vërtetimet që disponon KIZ në lidhje me punësimin e prof. dr. Petrit Bara, provojnë qartë plotësimin e kriterit 20-vjeçar në mësimdhënie, por për më tepër, periudha e studimeve të doktoratës si dhe ajo për fitimin e titullit Profesor i Asociuar (2000) dhe titulli akademik “Profesor” (2009) kanë në themel të tyre kërkimin shkencor. Pra, kriteri 20-vjeçar jo vetëm që plotësohet, por tejkalohet.
Për rrjedhojë, duke i bërë një interpretim të gabuar literal këtij parashikimi të rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet, organet drejtuese dhe komisionet e përhershme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, KIZ ka tejkaluar kompetencat që rregullorja i njeh.
Përmes mospranimit të kandidaturës për apikim për rektor të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, në lidhje me këtë pretendim, KIZ ka cenuar të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, së pari për shkak të mosmarrjes për bazë të shkresës përgjigje të Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me punësimin e tij pranë këtij institucioni për periudhën 2002-2003, por njëkohësisht dhe për shkak të tejkalimit të kompetencave të tij në lidhje me mosmarrjen në konsideratë të periudhës së studimeve doktorale si dhe periudhës së përfitimit të titullit shkencor Profesor i Asociuar si periudhë kërkimi shkencor në fushën e shkencave të shëndetit.
Krejt absurd është edhe pretendimi i dytë i KIZ për mosdeklarim të të dhënave të ndryshuara të gjeneralitetit nga ana e prof. dr. Petrit Barës. Kjo, për faktin se nga ana e tij nuk është bërë asnjëherë kërkesë për ndryshim të gjeneraliteteve dhe as nuk ka një vendimmarrje të gjykatave në këtë drejtim. Ndryshimi në vitin e lindjes është bërë nga institucioni përkatës i gjendjes civile, si rrjedhojë e konstatimit të një gabimi material gjatë procesit të hedhjes së të dhënave nga fashikujt fizikë të këtij institucioni në databazet e krijuara për këtë qëllim.
Pikërisht, duke kundërshtuar këto veprime abuzive të KIZ që delegjitimojnë procesin e zgjedhjes së rektorit të UMT-së, prof. dr. Bara i është drejtuar me argumente bindëse Komisionit të Apelimit, nga i cili pret një vendimmarrje të drejtë.
Mbështetur në faktet dhe argumentet e mësipërme, ky komision duhet t’u japë fund veprimeve abuzive për të penguar konkurrencën e lirë dhe për të legjitimuar garën me një kandidat.
Për më tepër, që me të njëjtën dosje prof. dr. Petrit Bara ishte edhe para katër viteve në garën për rektor të këtij universiteti, garë të cilën, me manipulime të provuara edhe nga Gjykata, e humbi vetëm me një votë.
Duke e konsideruar si kandidat potencial, KIZ, i emëruar nga rektori aktual, ka marrë një vendim abuziv për ta përjashtuar atë nga gara, vendim ky që duhet të rrëzohet nga Komisioni i Apelimit për t’i hapur rrugën garës me të paktën dy kandidatë.
Prof. dr. Petrit Bara është një personalitet i shquar me integritet të lartë profesional në fushën e mjekësisë si për arritjet e tij akademike, të cilat i dëshmon në volume të tëra shkrimore, si tekste akademike të publikuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, ashtu edhe për përvojën prej katër dekadash si mjek kardiolog dhe drejtues i përkushtuar, i cili reflekton një intuitë të rrallë intelektuale gjatë aplikimit të njohurive shkencore në situata praktike të shërbimit mjekësor kardiologjik.
Prof. dr. Petrit Bara, që ka shërbyer prej dekadash me përkushtim të veçantë dhe humanizëm të thellë, përbën një shëmbëlltyrë të konstruktivizmit në fushën e dijes. Ai është përzgjedhja më e mirë për kreun e Universitetit të Mjekësisë, pasi di të ndërtojë ide dhe zhvillime të reja në reformat e ndërmarra si në përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor, ashtu dhe në formimin profesional të gjeneratës së re të mjekëve dhe specialistëve që nesër do të jenë promotorë të arritjeve cilësore të fushës së mjekësisë. Reformat që prof. Bara paraqet në platformën e tij për rektor të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, kanë në qendër kërkimin shkencor, zhvillimin kurrikular, metodologjinë e mësimdhënies, cilësinë e menaxhimit të shërbimeve përmes një sistemi inovativ. Gjithashtu, vetëqeverisja në liri akademike dhe autonomi financiare, rekrutim i personelit me procedura transparente konkurrimi, konceptimi i ri mbi funksionimin e UM si qendër universitare teoriko-praktike, ku zgjidhjet vijnë si qasje konstruktive në bazë situate, motivim në të nxënë të studentëve dhe pedagogëve dhe lidhjeve ndëruniversitare me institucione homologe perëndimore, janë prioritet i platformës së tij.
Dr. Petrit Bara është vizionar dhe kreativ. Këtë ai e tregoi më së miri në krijimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, të cilin e krijoi, e reformoi dhe si dekan i tij e bëri një fakultet me impakt publik kombëtar dhe ndërkombëtar, nga ku diplomohen me një performancë të admirueshme qindra specialistë të shërbimit mjekësor. Studentë të shkëlqyer që dalin nga ky fakultet performojnë jo vetëm brenda vendit, por edhe në vende të zhvilluara perëndimore. Ndaj, Universiteti i Mjekësisë do të ketë një drejtim dinjitoz nëse do ta fitonte si rektor prof. dr. Petrit Bara, një mjek dhe pedagog i përmasave ndërkombëtare, i cili me shpalljen e kandidaturës për rektor, përbën një ofertë të re didaktike në drejtim të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë shqiptar dhe një shpresë se, aftësitë e tij drejtuese të provuara në një përvojë të gjatë, garantojnë cilësi dhe zhvillim. Për këto arsye besojmë tek aftësia, zotësia, shpirti dhe ndërgjegjja reformuese e prof. dr. Petrit Barës.