Covid-19 ka regjistruar edhe 2 raste të reja “pozitive” në qarkun e Beratit. Raste që nuk janë kontakte të rasteve të mëparshme por që nuk dihen ende se ku janë infektuar.
Një nga rastet e konfirmuara me Covid-19 është një grua 46-vjeçe,punonjëse në fasonerinë “Center Albania” në Berat. 46-vjeçarja është nga qyteti i Kuçovës dhe infektimi i saj ka vënë në alarm të gjithë punonjësit e fasonerisë, ku kontaktet e afërta të gruas janë karantinuar dhe janë në pritje të kryerjes së tamponëve.
Edhe një pensionist 74-vjeç nga lagjia “Çlirim” në qytetin e Beratit ka rezultuar i prekur me Covid-19 por ende nuk dihet se ku dhe nga kush është infektuar. 74-vjeçari kishte 5-ditë i shtruar në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ishte në pritje të përgjigjes së analizave të tamponit që kishte bërë pas shfaqjes së shenjave të infektimit.
Mjekët epidemiologë në Berat bëjnë me dije se, po hetojnë personat e kontaktit të dy rasteve të reja,të konfirmuara “pozitivë” në Berat e Kuçovë, ndërkohë që konfirmojnë gjithashtu se ka mungesë të theksuar tamponesh.
Sipas mjekëve,mungesa e tamponëve ka ulur në masë identifikimin e rasteve të reja dhe personave të kontaktit me rastet e mëparshme dhe njëkohësisht ka penguar edhe proçesin e analizimit për herë të dytë të rasteve që rezultojnë ende “pozitivë” në statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë,edhe pse janë infektuar një muaj më parë dhe mund të jenë shëruar.