Rastet e shumta shqiptare të ditëve të fundit në Toskanë, Itali, ka bërë që presidenti i këtij rajoni të kërcënojë me bllokimin e fluturimeve nga Tirana.
Enrico Rossi ka kërkuar informacione nga qeveria qendrore italiane, ose ka thënë se do të kërkojë bllokimin e fluturimeve.
Gjatë ditës së sotmë në buletinin e rajonit të Toskanës, nga 17 raste me koronavirus, 13 u përkasin personave që janë kthyer me avion nga Tirana.
Vetëm në javën e kaluar, numri i personave të kthyer nga Tirana dhe që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në Toskana ka qenë 31.
Presidenti i rajonit Enrico Rossi ka kërkuar nga qeveria italiane që t’u japë të dhëna në lidhje me personat që vijnë nga Shqipëria, ose në të kundërt do të marrë masa ekstreme.
‘Do të bllokojmë fluturimet direkte nga Tirana’, është shprehur Rossi.
Vetëm pak ditë më parë Italia vendosi të bllokonte fluturimet direkte nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera aziatike.