Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha se, ai dhe PD kanë qenë një zë i fortë dhe i çmuar kundër ndarjes së kufijve.
‘Çdokush në Shqipëri duhet të flasë me zë po kaq të qartë. Kemi patur sukses, kur bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë i sinqertë’, deklaroi Osmani.
Kënaqësi të pres zotin Basha në shtëpinë e tij të dytë në Prishtinë. Patëm një diskutim të mirë për sukseset që kemi arritur në të kaluarën dhe si mund ta rrisim bashkëpunimin tani.
Është e nevojshme që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte. Ka shumë hapësirë ku mund të përmirësojmë raportet tona biletarale, veçanërisht në aspektin ndërkombëtar.
Një bashkërendim në politikën e jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë ka patur gjithnjë sukses, kur ai ka qenë i sinqertë dhe ka qenë në linjë të plotë me interesin e shtetit dhe qytetarëve tanë.
Falenderova zotin Basha për zërin e çmuar tijin dhe të PD kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë më zë po kaq të qartë sa të Bashës.
Idetë për ndryshim kufijsh shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës dhe kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktualë si shtet sovran’, deklaroi ndër të tjera kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha.