Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se po bën një lojë të pisët me ndryshimet Kushtetuese dhe se qëllimi i vërtetë i tyre është heqja e koalicioneve para zgjedhore.
Sekretari i Përgjithshëm I PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar një video me anë të të cilës, kryeministri Rama zotohet se nuk do të ndalohen koalicionet. Ndërkohë që në dokumentin e firmosur nga Gramoz Ruçi dhe disa deputetë të opozitës specifikohet se koalicionet do të ndalohen në zgjedhjet e ardhshme.
“Sa herë hap gojën, Edi Rama gënjen për qëllimin e vërtetë të ndryshimit me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme të Kushtetutës. Kjo lojë e pistë po i nxjerr në pah tmerrin që ka nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit.
Shikojeni vetë me zë dhe me figurë! Shikoni dhe dokumentat zyrtare të Komisionit të Ligjeve, që e faktojnë një kryeministër, i cili gënjen pa u skuqur. Me firmën e Gramoz Ruçit, shkruhet e zeza mbi të bardhë se qëllimi i ndryshimit të njëanshëm të kushtetues është heqja e koalicioneve parazgjedhore.
Asnjë gënjeshtër e Edi Ramës nuk e mbulon dot këtë të vërtetë!”, thekson Bardhi.