Zbardhen emrat e shqiptarëve të arrestuarve në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidroge të përbashkët mes policisë italiane dhe asaj shqiptare.
Bëhet fjalë për Elison Hysenbelliun, 40 vjeç, banues në Bathore si dhe Jurgen Duka (Mëziri), 38 vjeç, banues në Kamzë.
Kujtojmë se në këtë aksion që ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme ku është goditur një grup kriminal me shtetas shqiptar dhe italianë, u arrestuan 16 persona.
NJOFTIMI I PLOTE
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni “Rivera”, i zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri, çon në pranga 16 persona, nga këta 14 në Itali dhe 2 në Shqipëri.
Operacioni i nisur në vitin 2018, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.
Në kuadër të këtij operacioni, në orët e para të mëngjesit, si rezultat i bashkëpunimit mes ZQK INTERPOL Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale në PSH, DVP Tiranë dhe Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës në Romë e Bari dhe në ambasadën italiane (misioni INTERFORZA), u zhvillua operacioni policor i koduar “Riviera”.
Operacioni “Riviera”, i iniciuar nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja, Itali, pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me aktivitet trafikimin e narkotikëve në rajonin Emilia Romagna, Itali.
Në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga zyra e Prokurorisë Antimafia në Bolonja dhe si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në vendin tonë, me qellim ekstradimi drejt Italisë, shtetasit shqiptar E. H., 40 vjeç dhe J. D. (M.), 28 vjeç.
Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe besueshmërinë që po fiton përditë e më tepër tek partnerët.