Në një kohë kur po shtohen me shumicë viktimat dhe rastet e reja, mjeku urolog, Artan Koni, kritikoi autoritetet shëndetësore në vend se nuk po bëjnë tamponë aq sa duhet, për të gjurmuar në kohë koronavirusin.
I ftuar në emisionin ”Kjo Javë” të Nisida Tufës, mjekut Koni akuzoi autoritetet në vendin tonë se tamponët bëhen vetëm kur pacienti është shumë rëndë dhe në këtë rast është e kotë të harxhohet tamponi, pasi dihet që personi do të përfundojë në spital.
“Komiteti Teknik doli me një vendim se duhet bërë tampon, nëse plotëson disa kritere. Por, nëse unë plotësoj ato kritere, do të thotë që do të përfudoj në spital. Atëherë mos ma bëj fare tamponin, se ky nuk quhet gjurmim, por kurim. Gjermania ndalonte njerëzit në rrugë, iu bënte testin dhe iu thoshte se nëse do të dilnin pozitivë, do t’i merrnin në telefon. Kështu kanë bërë dhe vendet e tjera. Ku ka më mirë se kaq. Ne jo vetëm nuk e kemi bërë këtë, por nuk iu kemi bërë tampon edhe njerëzve që kanë qenë simptomatikë. Ne iu jemi përgjigjur vetëm rasteve kur rasti ka qenë shumë rëndë. Po kur është shumë rëndë pse duhet ta harxhojmë tamponin, dihet që ka Covid, duhet ta marrim ta cojmë në spital”, tha Koni.
I pyetur nëse “Ka pasur raste që keni pas pacientë me Covid aty ku punoni?”, mjeku urolog iu përgjigj “Unë personalisht jo, sepse strukturat private i selektojnë pacientët që te dera, pa hyrë brenda. Ka pas raste të dyshuar dhe janë dërguar në spitalet shtetërore. Gjithsesi edhe ata që vinin në zyrë, ishin me maska dhe doreza”.