Gara për prodhimin e një vaksine efektive kundër koronavirusit po vazhdon. Ekspertët pajtohen se derisa të prodhohet një vaksinë, masat më të mira kundër koronovirusit mbeten distancimi fizik, përdorimi i maskave dhe larja e shpeshtë e duarve. Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë në vendosjen nën kontroll të përhapjes së Covid-19, dhe trupat gjermane tashmë kanë filluar të trajnojnë qentë për këtë çështje.
Kohët e fundit në këtë akademi në Ulmen të Gjermanisë, trajnerët e ushtrisë testuan një armë të re në luftën kundër koronavirusit. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se ky program për trajnimin e qenve është i pari i këtij lloji.
“Kjo shkollë është unike për ushtrinë, por edhe në një kontekst ndërkombëtar, është një gjë e veçantë që mund të ofrojmë. Në këtë shkollë nuk stërviten vetëm njerëzit, por qentë dhe njerëzit trajnohen së bashku”, tha ajo.
Qentë nuk mund të nuhasin virusin aktual, por ata mund të diktojnë ndryshimet bio-kimike që ai shkaktonë në pështymë. Këta qen japin rezultate me mostra të vogla deri në 0.1 mililitra.
“Ne thjeshtë po hetojmë nëse qentë e ushtrisë mund të përdoren për të zbuluar Covid-19. Jo sepse ata mund të nuhasin vetë virusin, por ata mund të nuhasin proceset bio-kimike dhe ndryshimet e shkaktuara nga virusi.”
Ministrja Kramp-Karrenbauer thotë se ndërsa testet janë inkurajuese, studimet janë ende duke vazhduar.
“Dua ta bëj të qartë se hapat e ardhshëm, si për shembull aftësia për të bërë dallimin mes koronavirusit dhe gripit ose për të dalluar një bartës aktiv të Covid-19 janë pyetje për të cilat ende nuk kemi përgjigje, kështu që do të na duhen shumë muaj të tjerë për të qenë në gjendje të ofrojmë rezultate të qarta.”
Trajnuesit ushtarakë të qenve dhe Universiteti i Hanoverit aktualisht janë duke punuar me specie të ndryshme të qenve në një sistem të bazuar në shpërblime, sipas të cilit qenve u jepen ushqime të posaçme për identifikimin e saktë të pështymës së njollosur.