Rama vazhdon të dështojë dhe metodat e tij për të ndryshuar bisedën nuk po funksionojnë më. Rama po mundohet të mbajë vëmendjen te Reforma Zgjedhore dhe të përfitojë nga rasti të mos tregojë interes për të mbështetur ose ndihmuar biznesin e vogël, shoqërinë shqiptare apo për të adresuar borxhin publik. Ka shtatë vjet që qeveria shqiptare nuk ka bërë ndonjë reformë ekonomike pro rritjes. Por në të kundërtën ka zbatuar politika që dënojnë rritjen e vendeve të punës dhe investimeve. Kjo theksohet në të gjitha raportet, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është një ndër arsyet kryesore pse Shqipëria është në fazën e kolapsit ekonomik, dhe me një borxh publik 80%.
Tashmë kjo qeveri ka dhënë prova se do ngelet qeverisja më negative dhe e paaftë për të drejtuar në historinë e vendit tonë. Dhe vullnet ka vetëm zgjedhje moniste.
Një përgjigje që shpjegon qartazi arsyen se përse qeveria shqiptare nuk po bën aspak nga ajo që shoqëria e vendit tonë meriton, nuk është se Shqipëria nuk ka buxhet apo mundësi ekonomike por është zhvendosja e buxhetit dhe investimeve nëpër veprimtari jo aq të rëndësishme
Dhe kjo padiskutim vjen nga influenca oligarkike që kemi në vend. Një artikull i publikuar në ditarin e ekonomisë, “The Economy Journal”, nga Moisés Martín Carretero, shpjegon qartë një ndër fenomenet më të rëndësishme rreth papunësisë dhe shpërndarjes së buxhetit në një shtet. Në artikull deklarohet se “Korrupsioni shtrembëron konkurrencën”- Kjo lejon që firmat jokonkurruese të fitojnë tendera me vlera marramendëse edhe pa qenë të përshtatshëm për të bërë punën, kështu që kostoja rritet jo vetëm te paratë që janë iniciuar por duhet të shtohen për të mbaruar punën, pa efikasitetin e duhur ndaj publikut. Në të njëjtën kohë, kjo krijon devijim buxhetor të parasë publike drejt veprimtarive që nuk janë domosdoshmërisht më efektive ose më të rëndësishme. Raporti “TransparancyInternational” thekson se Shqipëria ka rritje të korrupsionit. Pra, ky është problemi i vërtetë në të cilin ndodhet Shqipëria aktualisht.
Joefikasiteti shtetëror dhe devijimi i buxhetit dekurajojnë shoqërinë, rrisin papunësinë dhe detyrojnë qytetarët shqiptarë të gjejnë alternativa jashtë vendit të tyre. Problemi më i madh është se papunësia apo një punë që nuk ka të ardhura të mjaftueshme, persistenca në lënien në harresë të nevojave të një shoqërie sjell pasoja afatgjata. Një kërkim shkencor nga dr. Anita Cloete deklaron se papunësia rrezikon shëndetin mendor, pasi shumica e njerëzve të papunë tregojnë një rënie të vazhdueshme të kënaqësisë së përgjithshme të jetës, mirëqenies së përgjithshme dhe vetëvlerësimit, veçanërisht nëse janë të papunë për një periudhë të gjatë. Nuk vazhdohet me PPP të tilla që vazhdojnë mjerimin dhe rrezikimin e vendit. Duhet krijimi i një mjedisi më të mirë për biznesin e vogël dhe hapjen e mundësive të investimeve për vendasit dhe të huajt. Thjeshtësia, politika e rritjes ekonomike dhe konkurrenca do të nxisin prosperitetin ekonomik në vend. Qeveria e re që po vjen është në rrugën e duhur me politikën për rritjen ekonomike, dhe iu sjell shpresë shqiptarëve me një plan për rimëkëmbje dhe jo thjesht timon. Taksimi i sheshtë është shtysa numër një e prosperitetit ekonomik për një vend. Ja tri arsye pse një normë e ulët e taksave të sheshta është ajo që i duhet Shqipërisë.
- Kod i thjeshtë tatimor: Kompleksiteti është një taksë e fshehur që kërkon mbajtjen e shënimeve, përgatitjen e formularit, llogaritarë profesionistë dhe burime të tjera për t’u pajtuar me sistemin aktual. Kjo eliminohet lehtësisht nga një taksë e sheshtë. Kjo qeveri çdo vit shkon pas biznesit të Shqipërisë duke pretenduar informalitet. Jo nuk është informalitet, është kodi tatimor që kemi në vend që është aq konfuze saqë asnjë biznes nuk mund të paguajë siç duhet. Shumica e bizneseve duan të paguajnë taksën e drejtë, por komplikimi i bën ata të mos jenë të vetëdijshëm se çfarë dhe sa duhet të paguajnë. Një fund për mikromenaxhimin dhe favorizimin politik. Një taksë e sheshtë shpëton nga të gjitha zbritjet, zbrazësitë, kreditë dhe përjashtimet. Politikanët do të humbnin të gjitha mundësitë për të shpërblyer miqtë dhe për të ndëshkuar armiqtë – kjo rrit shpresën në shoqëri dhe investimet.
- Taksë e sheshtë: Një taksë e sheshtë do të nxiste rritjen e punësimit, kursimit dhe investimeve. Pjesa më e madhe e ekonomistëve tërhiqen nga ideja e një sistemi të taksave, si në Shqipëri, me norma të larta dhe taksim diskriminues të kursimit dhe investimeve. Sistemi i tanishëm zvogëlon rritjen ekonomike, shkatërron vendet e punës dhe ul të ardhurat. Qeveria Rama është e mendimit se nuk do të ketë të ardhura të mjaftueshme, dhe kjo nuk është aspak e vërtetë, por tregon paaftësinë e kësaj udhëheqjeje. “Një taksë e sheshtë nuk do të eliminonte ndikimin e dëmshëm të taksave, por duke ulur në mënyrë dramatike normat dhe duke u dhënë fund paragjykimeve tatimore ndaj kursimit dhe investimeve, kjo do të nxiste performancën e një ekonomie.” ~Daniel J. Mitchell, Ph.D., formerMcKennaSeniorFellow in PoliticalEconomy.
- Thjeshtësi e qartësi: Ne do të jemi më konkurrues në rajon. Shqipëria ka kodin më të ndërlikuar të taksave në rajon. Bizneset pëlqejnë thjeshtësinë. Shqipëria ka një vendndodhje superiore gjeografike, pse të mos ketë një kod konkurrues tatimor, të thjeshtë, që biznesi vendës dhe i huaj e shohin dhe e kuptojnë. Kjo, do të rriste investime të brendshme dhe të huaja. Duke filluar me Estoninë në 1994, një numër në rritje i shteteve kanë implementuar formën e taksave të sheshta. Që Shqipëria të ketë rritje ekonomike duhet të paktën të kemi një kod tatimor konkurrues me atë në Maqedoninë e Veriut (10%) dhe Malin e Zi (9%). Por ka më pak rëndësi numri i shteteve apo vendet fqinje, Shqipëria ishte shumë më mirë para 2014, me taksë 10%, dhe ekonomia kishte rritje organike dhe ishte më konkurruese në rajon.
Qeverisja në këtë periudhe pandemie dhe situatës pas tërmetit kërkon aftësi të veçanta, por e vërteta është se qeveria Rama nuk di ta ngasë makinën as në fushë.