BallinaKryesore"Ndarja në katër rajone arbitrare" eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali: ...

“Ndarja në katër rajone arbitrare” eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali: Duhej referendum

spot_img
spot_img

Ligji “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, që u kalua në Kuvend javën e shkuar, në seancën e datës 29 korrik, ka zgjuar shqetësime edhe ndër ekspertët e pushtetit lokal.

Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, në një intervistë për gazetën “Panorama”, ka bërë një skanim të problematikave të këtij ligji, por edhe të shqetësimeve që ka pushteti lokal, të cilat sërish mbeten të paadresuara. Sipas tij, një vendimmarrje e tillë për ta ndarë vendin në 4 rajone ekonomike do duhej të kalonte përmes një referendumi dhe për qytetarët të ishin të qarta arsyet e futjes në një zonë dhe jo në një tjetër.

DECENTRALIZIMI DHE SHPOPULLIMI

Sipas Agron Haxhimalit, me këtë ligj nuk arrihet aspak frenimi i shpopullimit. Për të ka një efekt të kundërt në drejtim të theksimit të centralizimit të pushtetit, në një kohë që nga Bashkimi Europian kërkohet krejt e kundërta. “Ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, i miratuar në seancën e fundit të Kuvendit, mendoj se nuk i shërben forcimit të rolit të pushtetit vendor, as decentralizimit, përkundrazi ligji zhvesh rolin e qarqeve. Së pari, si institucione kushtetuese për drejtuesit e të cilit votojnë qytetarët, por fut edhe bashkitë nën hijen e çadrës së “rajonit”.

Madje, na largon nga parimi i subsidiaritetit, që thekson se shërbimet duhet t’u jepen qytetarëve nga institucionet që janë më pranë tyre, pra, nga bashkitë. Në emër të barazisë, qeveria do bënte mirë të rriste buxhetin për 61 bashkitë dhe 12 qarqet aktuale, të thellonte decentralizimin dhe jo të ndërtojë struktura dhe të fuqizojë agjencitë e dekoncentruara që i kontrollon vetë. Gjithashtu, nuk është bindës argumenti se ligji ndikon në mosshpopullim, madje s’gjej lidhje fare. Shpopullimi pengohet duke forcuar bashkitë, duke bërë ligje të mira dhe funksionale që t’i ndiejnë efektet direkt qytetarët kudo ku jetojnë, në qytet apo fshat. Qeveria ka për detyrë të bëjë politika kombëtare dhe politika në funksion të integrimit në BE dhe të rrisë aftësitë e saj për thithje të fondeve të huaja, e t’i alokojë direkt në bashki. Është Këshilli Bashkiak dhe kryetari me stafin e tij përgjegjës për zhvillim lokal e rajonal”, tha Haxhimali.

BUXHETET LOKALE

Për drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive, qeveria duhet të rishikojë qasjen e saj ndaj pushtetit lokal dhe të ketë një rritje të buxheteve të tyre. Sipas tij, ligji “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, edhe në këtë drejtim përbën një hap pas. “Ligji, gjithashtu, nuk përcakton qartë tipologjinë e nivelit të dytë të qeverisjes vendore, por thjesht duket qartë si një marrëdhënie vertikale e pushtetit me të emëruarit e saj në këto 4 agjenci rajonale dhe zinxhirin e tij administrativ. Me gjithë propozimet për “përfshirje” të nivelit të parë të qeverisjes vendore, ajo që bie në sy është koncepti “Kapacitetet e forta fiskale dhe politiko-administrative” të kontrolluara nga qeveria.

Kjo është ndoshta ana e errët, ku pushteti lokal vihet më shumë në kontroll të hollësishëm nga qeveria qendrore dhe sërish do duhet që bashkiakët të trokasin të dera e qeverisë për të përfituar projekte investimi. Ndërkohë që duhet të jenë vetë bashkitë që të kenë buxhete nga burimet kombëtare si dhe të përfitojnë dhe zbatojnë vetë projekte me fonde nga BE.

Nevojat lokale dhe rajonale i dinë bashkitë dhe qarqet më mirë sesa pushteti qendror. Mënyra sesi është strukturuar dhe organizuar puna për zhvillim rajonal, tregon se hapësira për vendimmarrje me përfaqësim, demokraci dhe decentralizim janë ende larg nga Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore e Këshillit të Europës, bazuar në parimin e subsidaritetit dhe vendimmarrjes qytetare. Qeveria me ketë thotë se është në vazhdën e reformimit të pushtetit vendor, të dalë pas reformës territoriale. Por është e paqartë se çfarë modeli reformimi të nivelit të dytë kërkon të bëjë? Reformë territoriale, reformë funksionale, reformë demokratike apo reformë multidimensionale. Ky ligj është i vështirë të kuptohet nëse bën pjesë në një nga këto modele reformimi”, u shpreh Agron Haxhimali.

PSE 4 RAJONE?

Më tej, ai e cilësoi arbitrar faktin që ligji kaloi pa shumë debat në Parlament dhe që u përcaktua në 4 numri i rajoneve, pa dhënë shumë detaje se përse bëhet një ndarje e tillë. “Shumë arbitrar është fakti se për ndarjen në 4 rajone të Shqipërisë nuk thuhet se cili do jetë kompozimi territorial-administrativ për secilin nga 4 rajonet. Pasi gjykoj se qytetarëve duhet t’u bëhet e qartë pse janë 4? Cilët janë kriteret që çojnë në këtë numër? Dhe tjetra, mirë që bëhet një ligj i tillë dhe i kalon Parlamentit, por mendoj që Parlamenti, si tempulli që përfaqëson gjerësisht popullin, duhet të dinte edhe arsyen pse kjo ndarje me 4 rajone?

Edhe pse ligji ka karakter administrativ, sërish mendoj se duhet të merrte rëndësi. Ndarje e tillë e vendit, edhe pse për qëllim kohezion dhe pa prekur dhe krijuar juridiksionin territorial, mendojmë se duhet të kalojë nga një proces i gjatë analizash, proces me përfshirje dhe konsultim dhe shumë konsensual horizontalisht dhe vertikalisht. Ideale do ishte referendumi për reforma të tilla në nivele të pushtetit vendor. Marrëdhëniet ndërqeveritare (qendrorelokale) kanë akoma një ndikim politik dhe ky ligj nuk kontribuon në zgjidhjen e këtij problemi. Për një vend të vogël si i yni, i qëndroj mendimit se nuk ka nevojë për agjenci qeveritare të shumta, nuk nevojiten instrumente burokratike që krijojnë konfuzion dhe lodhje institucionale”, deklaroi, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali. PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular