Sipas këtij raporti Njësia e Biznesit të Manaxhimit të Infrastrukturës Hekurudhore (NJMBIH), ka në administrim rreth 351 km vijë hekurudhore, nga të cilat sot janë në funksion rreth 303 km, ndërsa rreth 48 km janë jashtë funksionit.
Nga inspektimet e realizuara është konstatuar se gjendja teknike e vijave hekurudhore të administruara nga ky administrues paraqitet e rënduar dhe pa shenja përmirësimi.
I njëjti dokument analizon faktorët që kanë çuar në vlerësimin negativ të gjendjes së hekurudhës ku së pari Traversat speciale të ndërrueseve që pjesën më të madhe janë të degraduara. Si rezultat nuk mund të kryhen punime për retifikimin dhe ruajtjen konstante të vlerave të skartamentit në pjesë të ndryshme të saj. Për pasojë lëvizja e trenave mbi to është shumë e reduktuar në kufijtë 5-10 km/orë në kthesë dhe 10-20 km/orë në drejtim. Furnizimi me traversa speciale për ndërrueset ka qenë në vlerën 10 % të kërkesave.
“Kjo përqindje e lartë e traversave të drurit jashtë funksionit, prezente në linjat tona kryesore ka ardhur për shkak të cilësisë së dobët të traversave, cilësisë së dobët të ballastit dhe kuotave të zëvendësimit të tyre jo në proporcion të drejtë me kohën e amortizimit të tyre. Për ta sqaruar, në çdo vit duhej të zëvendësoheshin afërsisht 46.000 copë traversa druri, por në fakt nga statistikat rezulton që në dhjetë vitet e fundit janë zëvendësuar afërsisht 32.650 copë me një mesatare prej 3265 copë në vit, pra më pak se 10% e kuotës të nevojshme vjetore” thuhet në raport.
Sa i takon gjeometrisë së linjës thuhet se si në aspektin planimetrik dhe në atë altimetrik, linja në pjesën më të madhe të gjatësisë së saj rezulton me deformime dhe shtrembërime të shinave, çedime në pikat e lidhjes së shinave, humbje të paralelitetit të shinave në segmentet e drejta të saj , rampa të theksuara shumë të shpeshta dhe të pa rakorduara, kthesa me zhvillim jo harmonik.
Mungesa të theksuara vihen re edhe në aksesore, probleme në shina si dhe sinjalistika dhe sinjalizimi.
Dëmtohen urat nga heqja e interteve dhe tërmeti i 26 nëntorit
Raporti vëren se përveç dorës së njeriut ku kërkimi i inerteve ka pasur pasoja të rënda në disa ura edhe tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëmtime të rënda në asetet e hekurudhës.
“Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dëmtoi rëndë hekurudhën shqiptare. Si pasojë e këtij tëmeti është reduktuar transporti kombëtar dhe ndërkombëtar deri në satcionin hekurudhor të Gjormit. Arsyeja për këtë reduktim të transportit është dëmtimi i urës hekurudhore mbi lumin Ishëm.Urës i janë dëmtuar trarët mbajtës të pilave nr.3 dhe nr.6. Nuk është përcaktuar ende shkalla e dëmtimit të tyre. Më rëndë janë dëmtuar trarë mbajtës në mbështetjen mbi pilën nr.3.
Probleme paraqesin dhe urat hekurudhore të Rrogozhinës, Milotit dhe ajo mbi lumin Kir në Shkodër të cilave u janë zbuluar pilat për shkak të marrjes pa kriter të inerteve nga lumenjtë. Duhet një studim i specializuar për të ndërhyrë në vlerësimin e gjendjes dhe më tej në marrjen e masave për eliminimin e këtyre pasojave” thuhet në raport.