Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pas mesnatës së kaluar në një lokal të Pogradecit.
Policia njofton se një 35-vjeçar ka plagosur me kallashnikov shtetasin B. Sh., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar me shpejtësi, ndërsa policia po punon intensivisht për kapjen e tij sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë zjarri 1 shtetas gjatë një konflikti të çastit, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.
Më datë 21.08.2020, rreth orës 02:00, në një lokal në fshatin Bishnicë, pas një konflikti të çastit shtetasi A. Ç., rreth 35 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri tip automatik shtetasin B. Sh., i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërkohë arma e zjarrit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e Policisë, po punohet intensivisht për kapjen e shtetasit A. Ç., si edhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.