Murtaja si një nga sëmundjet më vdekjeprurëse bakteriale në historinë e njerëzimit, shkaktoi vdekjen e 50 milionë njerëzve vetëm në Evropë gjatë Mesjetës, kur asokohe njihej si Vdekja e Zezë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ndonëse në ditët e sotme shfaqet rrallë tek njerëzit, murtaja është ende aktive në disa raste, kjo pasi Kalifornia konfirmoi një të prekur për herë të parë në pesë vite, në New Mexico një 20 vjeçar pothuajse vdiq, ndërsa u raportua për disa raste edhe në Kinë.
Murtaja transmetohet gjerësisht nga pleshtat e brejtësve, ndërsa simptomat shfaqen kryesisht pas një jave pas infeksionit.
Personat e prekur zhvillojnë nyje limfatike të fryra të cilat njihen si “bubos”, ato shfaqen kryesisht në zonat e ijëve; në sqetulla ose qafë. Të njëjtit zhvillojnë po ashtu ethe dhe kollitje.
Si mund të infektohesh nga murtaja?
Murtaja njihet si sëmundje e cila prek kryesisht njerëzit si dhe gjitarët, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Njerëzit infektohen nga sëmundja pasi kafshohen nga një plesht i brejtësit i cili mban në vete bakterin Yersinia pestis, i cili e shkakton murtajën. Të njëjtit mund të infektohen edhe duke e trajtuar një kafshë të infektuar, bazuar në të dhënat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA.
Macet të cilat mund të kenë qenë të infektuara mund t’i infektojnë drejpërdrejt njerëzit, ndërsa qentë mund t’i bartin pleshtat tek pronarët e tyre.
Njerëzit mund të sëmuren nëse thithin spërkalat nga kolla e një personi të infektuar ose edhe nga ndonjë kafshë.
Bakteriet ende vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të niveleve të ulëta të cilat qarkullojnë tek njerëzit midis brejtësve të caktuar, thotë CDC.
Ndërkohë, kafshët e infektuara dhe pleshtat e tyre shërbejnë si “rezervuarë” afatgjate për bakteriet.
Në cilat vende shfaqet murtaja?
Murtaja shfaqet kryesisht në zona rurale, ndërkohë në SHBA ajo zhvillohet veçanërisht në vendet si Arizona, Kalifornia, Kolorado, si dhe në New Mexico. Sipas CDC, rreth shtatë raste të murtajës raportohen për çdo vit brenda vendit. Në mënyrë të konsiderueshme raste më të shumta shfaqen në Afrikë dhe në Azi.
Nga viti 2010 deri në vitin 2015 u raportuan globalisht rreth 3,248 raste, përfshirë edhe 584 viktima bazuar në të dhënat e OBSH-së.
Organizata thotë se tre vendet më endemike janë Rebulika Demokratike e Kongos, Madagaskari dhe Peruja.
Sipas të dhënave murtaja shfaqet në tre lloje; në atë bubonike, septikemike dhe pneumonike.
Murtaja pneumonike e cila prek mushkëritë mund të transmetohet drejtpërdrejt mes njerëzve.
Ky lloj shpërthimi ndodhi në vitin 2017 në Madagaskar, ku u raportuan gjithsej 2,348 raste të dyshuara dhe 2020 viktima, raporton CNN.
“Bakteria e murtajës është akoma e pranishme në shumë pjesë të botës përfshirë dhe SHBA, zakonisht në mesin e brejtësve dhe tek marmotat”, tha Matthew Dryden në Science Media Center.
Dryden është një mikrobiolog konsulent në Universitetin e Southampton tek Departamenti i Sëmundjeve të Rralla për Shëndetin Publik.
“Sëmundja përhapet tek njerëzit kur ekziston kontakti i drejtpërdrejtë i tyre me kafshët e infektuara, ose nga pleshtat e tyre tek njeriu”, u shpreh eksperti.
Epidemia e fundit e murtajës tek zonat urbane në SHBA u shfaq në qytetin e Los Angeles, nga viti 1942 deri në vitin 1925, pohon CDC.
A duhet të brengosemi?
Antibiotiku si streptomicina është kryesisht trajtimi i parë i cili aplikohet në fillim të infeksionit – ilaçi mund të parandalojë komplikimet dhe vdekjen menjëherë pas shfaqjes së simptomave. Sidoqoftë, një llojë murtaje bubonike me rezistencë të nivelit të lartë ndaj streptomicinës u pa kohët e fundit në Madagaskar.
“Rreziku i transmetimit midis njerëzve siç ndodhi në mesjetë nuk ka shumë gjasa të ndodh, pasi bakteria është kryesisht e ndjeshme ndaj trajtimeve me antiobioikë”, u shpreh Dryden për SMC.
“Është e rëndësishme që ne të përdorim antibiotikë në mënyrë të duhur për t’i ruajtur këto ilaçe të rëndësishme”, vazhdoi ai.
A ekziston ndonjë vaksinë efektive kundër murtajës?
Aktualisht, siç shkruan CNN, nuk ekziston asnjë vaksinë efektive kundër murtajës, studimet thonë se një lloj i saj ka treguar premtime kundër murtajës pneumonike, ajo nuk ofron mbrojtje kundër asaj bubonike.
Bazuar në hulumtimet e fundit të vaksinave eksperimentale, studiuesit po eksplorojnë shumëllojshmëri të tyre për ta zhvilluar një vaksinë efektive.
Si duhet të mbrohemi nga murtaja?
Për ta shmangur një infeksion të mundshëm, njerëzit duhet të eliminojnë foletë e brejtësve rreth shtëpive, kasolleve, garazheve, dhe zonat rekreative duke i eleminuar grumbujt shkëmborë, plehrat dhe dru zjarri që mund të jenë të tepërta.
Nëse ndonjë kafshë është e sëmurë ose e ngordhur, raportoni organet e vendit ose zyrtarët e juaj shëndetësorë lokalë; mos i prekni vetë. Nëse duhet patjetër t’i trajtoni vetë ato, atëherë duhet të vishni doreza.
Në qoftë se jetoni në një zonë endemike, merrni masa praprake shtesë. Përdorni vajin DEET, kundër insekteve për t’i parandaluar kafshimet e pleshtave, si dhe aplikojeni atë rregullisht tek qentë dhe macet. Mos flini me kafshët shtëpiake pasi kjo rrit rrezikun e infektimit nga murtaja.
Vlen të ceket që kafshët shtëpiake duhet të qëndrojnë larg brejtësve të cilët mund të përmbajnë bakterien.