Moti favorizues ka bërë që edhe këtë fundjavë shumë pushues t’i drejtohen zonave bregdetare, duke shkaktuar fluks të automjetesh në akset kryesore në vend.
Policia bën me dije se po ashtu kanë qenë të shumtë shoferët që kanë shkelur rregullat e qarkullimit, ku për pasojë janë vendosur me 546 gjoba, ndërsa janë pezulluar 31 patenta.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por të rrjedhshëm. Deri tani nuk ka pengesa apo bllokim të lëvizjes.
Në disa akse apo segmente fluksi është autokolonë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, si dhe po monitoron me dronë parakalimet e gabuara dhe me radarë shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Deri në këto momente në të gjitha akset rrugore nacionale janë evidentuar 31 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 197 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 24 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, ku pas alkooltesteve ka rezultuar se 11 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.25 mg/l deri në 0.44 mg/l, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit.
Nga patrullat e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore janë vendosur 234 masa për përdorim të celularit, 79 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 36 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese, të mos kryejnë parakalime të gabuara duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, të zgjedhin dhe përdorin rrugë alternative në rast fluksi dhe të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, për ata drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në rrezik për aksidente rrugore.