Nga Qemal Çejku
Sot në ditën e përkujtimit të viktimave naziste-leniniste, dua të përkujtoj gjyshin (babai i nënës sime), Hazir Maliq Bajraktari nga Ujmishti, Kukës. Dua ta kujtoj sot gjyshin, më thonë ka vdekur, por varr nuk ka! I vdekur në kampin e internimit të Tepelenës, eshtrat e tij të zhdukura në Lumë janë veçse një mllef më shumë i sistemit diktatorial komunist për këtë familje dhe Muharrem Bajraktarin (kushëririn e gjyshit tim). Familja Bajraktari ka qenë kunder çdo regjimi ne Shqiperi. Muharremit si nje nga krerët e forcave nacionaliste shqipare, ju kërkua bashkëpunim nga komunistët, por shumë shpejt e prenë në besë në Gostil, Kukes. Atëherë, filloi lufta frontale me komunistët deri në shkatërrimin e kësaj familjeje.
Gjyshi im ishte anti-fashist me forcat e Muharrem Bajraktarit. Në vitin 1941 i vritet vëllai nga milicët fashistë dhe gjyshi plagoset rëndë. Dënohet me pushkatim nga italianët, por me ndërhyrjen e Qazim Mulletit i falet jeta dhe dënohet me 101 vite burg në Prizren.
Me arratisjen e Muharrem Bajraktarit në 1946 dhe vëllait të gjyshit Zylfi Bajraktarit në 1949 fillon kalvari i vuajtjeve për këtë familje. Haziri internohet në shtator 1949 në kampin famëkeq të Tepelenës ku do humbte dhe jetën në 23 mars 1951, ndërsa djali i madh i burgoset.
Sigurisht që për regjimin, Hazir Bajraktari kur ishte gjallë konsiderohej një “armik”, por dhe i vdekur??! Eshtrat ju zhdukën ; pse kjo marrëzi, pse sot në këtë ditë përkujtimi i mohojmë brezave, vendosjen e një luleje te varri i tij? Po ai e dinte se sa armik ishte, donte të mos ishte një bashkëshort, nuk donte që të ishte prind, që fëmijët e tij të mos flinin gjumë as në shtëpinë e tyre, nuk donte të ishte vëlla apo pjesë e familjes së madhe me traditë të bajraktarit të Lumës? Jo, gjyshi donte të ishte babai i tre djemve dhe dy vajzave, por nuk ia lejonin as për së gjalli dhe as për së vdekuri. Çfarë mallkimi dhe çfarë sistemi, dënon dhe pse nuk gjykon, dënon dhe pas vdekjes përveç sistemeve sllavo-komuniste??!
Unë sot nuk dua të bëj histori, pasi secili nga ne e dimë kampin e Tepelenës, por dua të di pse nëna ime, dajat e mi, tezja ime u rritën e jetuan pa baba, as të gjallë, por dhe pa varr një lule nuk e vendosën kurrë?
Sa shumë “faje” që paske bërë, si i gjallë dhe i vdekur, që dhe eshtrat t’i zhdukën??!
Armiku duhej zhdukur me gjithë histori, po po tamam kështu thoshte sistemi anti-njerëzor sllavo-komunist. Haziri vinte nga një familje e madhe dhe me zë në zonë, por ai nuk e dinte që familja e madhe Bajraktari ishte dhe objektivi i sistemit komunist, që ta ndante, ta masakronte në burgje, internime, largime nga vendi. Kjo familje kurrë nuk u bë shërbëtore e atij sistemi, asnjëherë nuk u largua nga atdhedashuria e patriotizmi.
Thuhet “Gjakëfalur e varrëhumbur”, por më ngacmon ideja a mundemi ne ta pranojmë ne këtë? A kërkuan falje bishat komuniste për atë që kanë bërë? Kush mund ta zëvendësojë, një prind të munguar, fëmijë të paushqyer e të papërkëdhelur kurrë, bashkëshortin e zhdukur, vëlla të torturuar, kryefamiljarë vetëm hije çdo ditë në mendjet tona??
Ndoshta unë, gjysh dhe në emër të pasardhësëve të tu, mund të duam t’i falim ata që u betuan tek shejtani, të torturuan e të vranë, por ne nuk mund të falim kurrë, që sot nuk kemi ku të përkujtojmë, këtë jo, nuk duam të jesh varrëhumbur!