BallinaKryesoreHapja e shkollave/ Si po e bën Europa dhe mungesa e planit...

Hapja e shkollave/ Si po e bën Europa dhe mungesa e planit në Shqipëri

spot_img
spot_img

Mbi 4500 raste të reja në Francë, më shumë se 2000 në Gjermani, gati 8 mijë në Spanjë. Kurba e infeksionit të koronavirus është në rritje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Italia po shënon mbi 1 mijë raste në ditë ditë duke bërë që kudo në kontinent të flitet për një valë të dytë të pandemisë. Për ta bërë gjithnjë dhe më alarmante situatën, fakti është se verës po i vjen fundi dhe në shtator kudo do të nisin shkollat.

Shqipëria gjithashtu do të hapë dyert në 14 shtator, por frika e mësuesve, prindërve dhe autoriteteve mbetet. Së fundmi ministria e Shëndetësisë ka miratuar disa rregulla për mënyrën si do sillen, nxënësit, mësuesit dhe prindërit, por ndryshe nga sa ndodh në Europë hapja e shkollave në Shqipëri është si të ecësh në një fushë të minuar. Shumë vende evropiane bënë testime që në maj, të tjera gjatë gushtit në mënyrë që në shtator të nisë një hapje më graduale për të parë se ku çalon sistemi dhe jo duke i hapur të gjitha shkollat njëherësh.

Franca, Belgjika, Holanda, Portugalia, Anglia, Polonia, Finlanda dhe Greqia kanë kryer ndërkohë eksperimente të rihapjes mes muajve maj dhe qershor. Në Shqipëri u hapën shkollat vetëm 2 javë për maturantët dhe nxënësit e klasave të 9-ta.

Franca pranoi vetëm 10% të fëmijëve në shkollë, sepse prindërit nuk kishin besim. Në të njëjtën kohë, në Gjermani, institutet filluan të rihapnin në faza dhe në rajone të ndryshme shkollat që në 10 gusht. Megjithatë ka edhe vende si në Spanjë, Itali dhe Angli ku do të pritet mesi i shtatorit.

Eksperimenti i rinisjes së shkollave në Francë u realizua në maj kur me përfundimin e karantinës vendi u fut në rrugën e hapjes. Shkolla të ndryshme në rajone të ndryshme kishin filluar të hapeshin përsëri duke filluar nga 11 maji. Rezultati, në fillim, ishte veçanërisht i frikshëm. U deshën vetëm 7 ditë për të mbyllur pjesën më të madhe të shkollave (70 në një javë të vetme) për shkak të pranisë së shumë rasteve pozitive në Covid-19 dhe shpërthimeve të ngjashme.

Sidoqoftë, qeveria kishte vendosur të ecë përpara dhe të mos ndërmarrë shumë hapa mbrapa. Autoritetet vendosën të rrisin largësinë mes nxënësve nga njëri tjetri për ta çuar deri në 4 metra. Klasat u ndanë në 3 grupe, orët e studimit u zvogëluan. Me pak fjalë, një provë gjenerale, e cila la pas shumë paqartësi, por që hodhi dritë për atë se çfarë do të ndodhë në shtator.

Tani kanë mbetur 8 ditë deri në çeljen e dyrve të shkollave (1 shtator) dhe situata e Coronavirus nuk duket më e mira. Presidenti Emmanuel Macron deklaroi në korrik se nëse do të kishte një përshpejtim të virusit në gusht, data e hapjes së shkollave do të rishikohej. Në 21 gusht, Ministri i Arsimit konfirmoi kthimin në shkollë, por në mënyrë të pashmangshme ai do të ketë një “dimension shëndetësor”: maska për të gjithë mbi 11 vjeç, xhel dezinfektues në institucione, një distancë minimale prej 1 metër.

Në Francë nuk do të ketë matje të temperatirës në shkollë,, por ajo do të jetë një detyrë e prindërve që nuk duhet të dërgojnë të miturit në klasë nëse termometri do të shënojë mbi 38°C ose simptoma të tjera të Covid-19. Nëse fëmija ka ndonjë infeksion, do të shihet rast pas rasti. Ministri tha se nëse do të mbyllet ndonjë prej shkollave mësimi do të zhvillohet në distancë, por duke siguruar të gjitha mjetet për ta bërë atë.

“Një eksperiment në shkallë të gjerë”. Kështu përshkruajnë gazetat lokale rikthimin e shtatorit në shkollë në Gjermani. Aty disa shkolla janë përpjekur të rihapen në mënyrë progresive, por shumë institucione nuk janë rihapur asnjëherë që nga mbyllja e fillim-marsit. Ideja e gjermanëve është që të rihapen plotësisht, por nëse infeksionet nuk e lejojnë atë, do të përpiqen të garantojnë të paktën 4 ose 5 orë në javë në shkollë.

Një nga masat më të habitshme në Gjermani është vendimi për të mos e bërë mbajtjen e maskës të detyrueshme. Ose më saktë: secili land mund të vendosë vetë se si është më mirë në këtë drejtim. Teksa në Rostock mund të shkohet në shkollë edhe pa e marrë maskën me vete, në Berlin dhe Brandenburg masat janë më të rrepta.

Do të ketë xhel dezinfektues (jo aq sa në Itali, sepse aty inkurajohet përdorimi i sapunit dhe ujit) dhe klasat do të riorganizohen në “grupe” sipas zonave të banimit. Distanca fizike është e vlefshme vetëm ndërmjet grupeve të ndryshme dhe me mësuesit, të cilët për shkak të moshës përballen me rreziqe më të mëdha shëndetësore. Anëtarët e grupeve që vijnë nga e njëjta zonë mund të qëndrojnë si në kohët e vjetra pa covid nëpër këmbë.

Strategjia – e cila u hartua nga “Robert Koch Institute”, autoriteti më i lartë shëndetësor gjerman – mund të duket e çuditshme, por në fakt ajo ka logjikën e saj: në rast infektimi në këtë mënyrë ndërpritet më lehtë zinxhiri i transmetimit duke izoluar një grup në zonën e tyre të banimit. Nëse nuk mund të mposhtësh virusin, të paktën mund ta menaxhosh atë.

Edhe në Spanjë kthimi në shkollë do të të nisë me temperaturën e matur në shtëpi, maska të detyrueshme dhe 1 metër larg. Spanja dhe Italia po zhvillojnë një debat të madh nëse këto masa (që duket se një pjesë e tyre janë marrë edhe në Shqipëri) do të mund të parandalojnë infektimin. Por nëse në vendin tonë nuk duket të ketë një Plan B (deri tani nuk është publikuar as plani A), Spanja ka hartuar 3 strategji për 3 skenarë të ndryshëm. I pari për një situatë normale, i dyti nëse pandemia do të rritej sërish, por do të ishte nën kontroll dhe rasti më i keq nëse shifrat do të kapnin sëish tavanin.

Ditët e fundit në Spanjë është vënë re një kurbë e fortë ngjitëse dhe po vë në rrezik rifillimin e shkollave. Rajonet e Galicia dhe Katalonia tashmë e kanë bërë të ditur se parashkollorët dhe shkollat fillore nuk frekuentohen 100%. Atje Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se ideja është krijimi i klasave deri në 15 nxënës, në mënyrë që të shmangen turmat dhe të mbahet distanca. Madridi do të nxjerrë një vendim përfundimtare në 27 gusht kur qeveria të mblidhet për të marrë vendmet sipas situatës.

Në Shqipëri u bënë publike këtë të diel masat e ministrisë së Shëndetësisë për rifillimin e shkollave. Ato nuk kanë ndjekur një prej modeleve të renditura më lart, por kanë marrë elementë prej tyre. Ndryshe nga Spanja dhe Gjermania, këtu temperatura do të matet në hyrje të shkollës dhe jo në shtëpi, maskat jajnë të detyrueshme nga klasa e 5-të e lartë ndërsa për më të vegjlit, jo nëpër klasa. Edhe këtu do të ketë higjienizues në hyrje të shkollave dhe klasave dhe dritaret që do të mbahen gjithmonë të hapura (edhe në janar???!!!).

Ajo që ende ministria e Arsimit nuk e thotë është se çfarë do të ndodhë në rast të identifikimit të vatrave të infektimit në një shkollë të caktuar apo në radhët e mësuesve. Shkolla do të mbyllet, por a janë mundësitë për mësim në distancë. Duket se prindërit dhe gjyshërit do të angazhohen sërish me grupet e WhatsApp. ©LAPSI.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular