Kjo javë nis me ankth për ish-deputetët dhe kryesinë e Partisë Demokratike. Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve që do të jenë në listën për deputetë të PD-së në zgjedhjet e ardhshme nis sot punën për fazën e dytë të seleksionimit.
Ndërkohë, sipas burimeve ne PD, ish-deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2017-ës të PD-së dhe kryesia e Partisë Demokratike do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen filtrit të dytë. Ishdeputetët dhe kryesia u konfirmuan të gjithë nga anëtarësia e PD-së, pra u propozuan për të qenë në listë.
Që të gjithë, po ashtu, u kualifikuan në fazën e dytë edhe nga Komisioni i Seleksionimit i ngritur në PD. Ndërkohë, në fazën e dytë kandidatët do të plotësojnë një formular me 30 faqe për integritetin, ose i cilësuar ndryshe si “veting” në politikë.
Plotësimi i këtij formulari nuk është detyrim për t’u plotësuar nga ish-deputetët e PD-së dhe nga kryesia. Hartuesi i udhëzimit të datës 25 qershor ka argumentuar se ish-deputetët kanë bërë deklarimet për pasurinë në ILDKPI dhe për dekriminalizimin në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Sa i përket kryesisë, që jo të gjithë kanë qenë deputetë, anëtarët e saj i janë nënshtruar vetingut më të hershëm në PD nga komisioni që drejtohet nga doktor Halim Kosova.
Kriteret për ish-deputetët Për arsyet e përmendura më sipër, 32 ish-deputetët dhe kryesia do t’u nënshtrohen disa kritereve të tjera, që komisioni pritet t’i përcaktojë sot.
Burime të konfirmuara pranë Komisionit të Selektimit bënë me dije se njëri prej kritereve lidhet me rezultatet e marra në zgjedhjet e vitit 2017 në qarkun dhe zonat ku kanë qenë të angazhuar në fushatë, por gjithashtu edhe angazhimi opozitar përgjatë këtij 3- vjeçari do të jetë përcaktues nëse ish-deputetët do të marrin ose jo besimin e komisionit për të qenë në fazën finale të procesit, përpara se të jenë në listat e deputetëve. Jeta profesionale dhe publike e të sipërpërmendurve do të jetë një tjetër kriter, që do të përcaktojë nëse kandidati do të kalojë fazën e dytë.
Në këtë listë nuk bën pjesë emri e kreut të demokratëve, Lulzim Basha, sekretarit të përgjithshëm të PD-së, dy nënkryetarëve të partisë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, si dhe ish-kryeministrat e ish-presidentët e PD-se.
Komisioni ka fshirë nga lista edhe emrin e Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit, të cilët, pas vendimit për të mos i djegur mandatet në vitin 2019, u larguan nga të gjitha forumet e Partisë Demokratike. Ndërkohë, ish-deputetja Valentina Duka është tërhequr nga politika dhe do të përkushtohet në pedagogji.
NUMRI I KANDIDATËVE PËR ÇDO QARK
Qarku Kukës, janë përzgjedhur në fazën e parë 24 kandidatë, nga të cilët janë 6 gra dhe 4 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Dibër, janë përzgjedhur në fazën e parë 26 kandidatë, nga të cilët janë 8 gra dhe 6 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Berat, janë përzgjedhur në fazën e parë 36 kandidatë, nga të cilët janë 10 gra dhe 7 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Gjirokastër, janë përzgjedhur në fazën e parë 37 kandidatë, nga të cilët janë 12 gra dhe 2 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Lezhë, janë përzgjedhur në fazën e parë 56 kandidatë, nga të cilët janë 15 gra dhe 14 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Korçë, janë përzgjedhur në fazën e parë 66 kandidatë, nga të cilët janë 17 gra dhe 15 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Shkodër, janë përzgjedhur në fazën e parë 67 kandidatë, nga të cilët janë 21 gra dhe 16 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Vlorë, janë përzgjedhur në fazën e parë 79 kandidatë, nga të cilët janë 23 gra dhe 18 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Durrës, janë përzgjedhur në fazën e parë 94 kandidatë, nga të cilët janë 19 gra dhe 28 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Fier, janë përzgjedhur në fazën e parë 101 kandidatë, nga të cilët janë 23 gra dhe 30 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Elbasan, janë përzgjedhur në fazën e parë 112 kandidatë, nga të cilët janë 33 gra dhe 23 të rinj nën moshën 35 vjeç.
Qarku Tiranë, janë përzgjedhur në fazën e parë 248 kandidatë, nga të cilët janë 67 gra dhe 55 të rinj nën moshën 35 vjeç.