BallinaKryesoreDeklarata e Yuri Kim/Si është tallur Rama me ultimatumet amerikane

Deklarata e Yuri Kim/Si është tallur Rama me ultimatumet amerikane

spot_img
spot_img

Deklarata e ambasadores Yuri Kim për mos kandidimin e personave të kriminalizuar në listat e ardhshme elektorale, i ngjan një apeli të përsëritur që është bërë bozë. Prej një dekade e gjysëm, selia e rrugës së Elbasanit këmbëngul në këtë tezë, por ajo sërish i mban për partnerë të ngushtë liderët lokalë që e injorojnë thirrjen e saj.

Shembulli tipik i këtij teatri, kur ShBA bën sikur vendos vija të kuqe që nuk zbatohen kurrë, është Edi Rama. Lapsi.al ka rihapur arkivat për të vërtetuar nën dritën e dokumentave të vetë amerikanëve se si kryeministri aktual është tallur me këtë shqetësim « serioz » të amerikanëve.

Sipas kabllogrameve të Wikileaks, ambasada i ka kërkuar pa sukses Edi Ramës mos kandidimin e disa emrave të përveçëm, para zgjedhjeve të vitit 2009, që më pas PS i humbi me një diferencë të ngushtë. Në një nga kabllogramet që mban firmën e ish-ambasadorit Uidhers, theksohet se « parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 2009-s ka disa trafikantë droge si dhe të përfshirë në pastrim parash, të cilët janë të trashëguar një pjesë dhe nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2005. Dokumenti e nis renditjen e deputetëve të lidhur me krimin me Tom Doshin nga PS për të cilin shkruhet: “Ai është deputet i Shkodrës nga PS. i njohur si më i pasuri nga deputetët e Kuvendit me një pasuri të deklaruar prej 15 milionë dollarësh. i dyshuar për trafik lëndësh narkotike”thuhet aty.

Por, në dy zgjedhje me radhë ,Rama nuk i dëgjoi ultimatumet amerikane. Ai e kandidoi dy herë me radhë Doshin dhe vendosi të bëjë një ndarje fiktive më të, jo nga principe morale, por për kalkulime politike, kur ky hyri në konfikt me Metën. Edhe atëhere amerikanët e përshëndetën përjashtimin nga PS-ja të deputetit të Shkodrës: “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike”.

Pasi Rama e futi sërish në koalicion duke e rizgjedhur Doshin deputet të Shkodrës, amerikanët i harruan përshëndetjet e vitit 2015.

E njëjta histori është përsëritur sistematikisht. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Ambasadori Donald Lu bëri thirrje për të mos rikandiduare kryebashkiakët e kriminalizuar, simboli i të cilëve ishte shndërruar, ai i Kavajës Elvis Roshi.

“ Kemi hulumtuar historitë kriminale të kandidatëve për zgjedhjet vendore. Ne e kemi ndarë këtë informacion me kryetarët e partive politike, me kërkesën që ata ta verifikojnë këtë informacion dhe të ndërmarrin veprime. Ata kanë hequr disa prej këtyre emrave nga listat e kandidatëve dhe shpresojmë që do të heqin më shumë”, deklaroi atëhere Donald Lu.
Por, Edi Rama jo vetëm e rikandidoi Roshin, por edhe e mbrojti atë publikisht, pa iu dridhur qerpiku, se si shumë emigrantë shqiptarë edhe ai kishte qenë i detyruar të ndryshonte emrin.

Duke përë këtë kokfortësi për të mos u bindur, ambasada e ShBA shkoi përpara me trysninë për zbatimin rigoroz të ligjit të dekriminalizimit. Në vitin 2016 Donald Lu do deklaronte për VOA: “Shpresojmë shumë që, si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Evropë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës”.

Por, çfarë ndodhi?

Në zgjedhjet monopartiake të 30 qershorit 2019, atëherë kur i ra dhe alibia se duhet të kandidonte të fortë për të përballur banditët e Saliut, Rama përzgjodhi sërish kryebashkiakë të kriminalizuar. Sipas denoncimeve të opozitës kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, është dënuar me burg në Greqi për rrahje e plagosje, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit, ai i i Vaut të Dejës Mark Babani është arrestuar dhe dënuar në Sicili, për vjedhje makinash dhe e ka fshehur këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit, ai i Matit Agron Malaj, është i dënuar në të shkuarën me vendim të formës së prerë dhe nuk i lejohet të zgjidhet në një funksion publik. Po pa përmendur këto denoncime që nuk janë konfirmuar nga drejtësia, që gjendet nën trysninë e pushtetit, mjaftojnë rastet e Agim Kajmakut të Vorës dhe Valdrin Pjetrit në Shkodër, për të vërtetuar se Edi Rama nuk heq dorë nga promovimi i këtij lloj profili në politikë.

Dhe ndryshe nga ç‘thoshte më mburje Donald Lu, në intervistën e 2016, atyre që kanë gënjyer me deklarimet e së shkuarës së tyre, nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë.

Pra, kjo kronologji e trishtë është e mjaftueshme për të kuptuar se si tallen udhëheqësit shqiptar, me gjoja vijat e kuqe që u vënë amerikanët. Ajo është e mjaftueshme edhe për të vërejtur se sa seriozë janë diplomatët e përtej Atlantikut me qëndrimet që mbajnë ndaj liderëve që i shpërfillin ultimatumet e tyre. Pikërisht kjo e shkuar na tregon më së miri edhe se sa do të përfillet apeli i radhës i Yuri Kim. Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular