Nga Paulin Marku
Ky është rrugëtimi dhe realiteti aktual i ditëve të sotme ku gjenden shqiptarët, të cilët po mashtrohen çdo ditë se po shkojnë drejt demokracisë, por realisht po shkojnë çdo ditë e më shumë drejt varfërisë.
Vendi ynë po shpopullohet me ritme të shpejta, por politikanët e papërgjegjshëm vazhdojnë të broçkullisin fjalë të pakuptimta me të vetmin synim, që shqiptarët e shkretë e të varfër t’u japin votën këtyre politikanëve, pa moral e pa politikë, duke u blerë moralin, varfërinë, me qëllim që të vazhdojnë sundimin e tyre të pashpirtë mbi varfërinë njerëzore.
Kjo klasë politike sunduese në pushtet hesht për këtë turp që i ka hedhur mbi trup kësaj Shqipërie dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Gjatë fushateve elektorale e në parlament politikanët e sotëm , deputetët, kryeministri e ministra ulurasin e mashtrojnë me sa kanë zë, se po zbatojnë një sërë reformash që do të sjellin ndryshime cilësore, por në realitet shumica e shqiptarëve po shohin se varfëria sa vjen e rritet çdo ditë dhe largimi nga Shqipëria është kthyer në një detyrim absolut për të jetuar.
Nëse bën gabim një herë duke votuar, atëherë ky është gabim, nëse bën të njëjtin gabim përsëri, atëherë kjo është zgjedhje ,por nëse bën të njëjtin gabim tre herë atëherë kjo është përzgjedhje. Atëherë, kjo përzgjedhje, nuk do të thotë se mundë të jetë zgjidhje pozitive, e cila rritë çdo ditë varfërinë në familjen tënde ,pavarësisht çdo preference apo simpatie politike.Pushteti nuk është një tokë apo mall që duhet tu takojë vetëm një pjesë të politikës që abuzon, vjedh, tallet dhe mashtron qytetarët e varfër .
Demokracia nuk i jep askujt një pushtet të përjetshëm në aspektin kohor,por ata janë aty përkohësisht e në shërbim të vlerave të lirisë e demokracisë, mirëqenies e zhvillimit ekonomik.
Në kushtet kur pangopësia politike ka sjellë vetëm shtim të varfërisë e të pabarazisë mes qytetarëve të vet, atëherë shumica e njerzëve ,të rinjëve dhe të rejave, intelektualëve, të ndershmëve kanë vetëm largimin nga Shqipëria, si rrugëzgjidhje.
Jeta në përgjithësi është lodhje,ndonjëherë lodhesh duke e parë veten si zhgënjehesh nga persona që beson ,mërzitesh nga pafytyrësia e njerëzve që vjedhin e mashtrojnë çdo ditë,vazhdon duke ecur me kokën lart sikur asgjë të mos kishte ndodhur, por në fakt je i thyer dhe zhgënjyer, i shqetësuar duke lejuar të tjerët të vrasin shpresën dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj në Shqipëri , i raskapitur duke falur pabesitë, mashtrimet e abuzimet e panumërta.
Por në asnjë mënyrë të mos të largohemi nga besimi ndaj Zotit, e nëse Zoti është gjithçka që ne kemi e adhurojmë, atëherë ne kemi gjithçka që na duhet.
I varfëri dhe i pasuri kanë një fund të përbashkët.