Është mbyllur me “tym të zi” takimi ndërmjet Jorge Messi, babai dhe agjenti i Leos, dhe presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu. Në mbledhjen e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes të dy palët nuk kanë ndryshuar asgjë nga pozicioni i tyre: Messi dëshiron të largohet gradis nga Barcelona ndërsa drejtuesit e klubit shprehën edhe një herë dëshirën e tyre për të vijuar bashkëpunimin, në të kundërt Messi mund të largohet vetëm nëse një klub paguan 700 milion euro, aq sa është dhe klauzola e tij e largimit.
Presidenti Bartomeu i propozoi babit të Messit një rinovim të ri të kontratës edhe për dy sezone të tjera, aktualja skadon më 2021, gjithashtu i ritheksoi se “pleshti” do të vijoj të jetë në qendër të projektit të ri me Koeman në stol. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Leos theksuan se dëshira e lojtarit është të largohen nga Barcelona, këtë dëshirojnë ta bëjnë falas pasi klauzola sipas tyre ka skaduar më 10 qershor, thjesht u shty deri më 23 gusht si pasojë e pandemisë.
Gjatë kohës kur babai i Messit zbarkoi në Barcelonë iu përgjigj shkurt mediave të pranishme: “Është e vështirë që Messi të qëndroj tek Barça. Nuk kam folur as me Pep e as me asnjë tjetër nga City”, u shpreh Jorge përpara se të futej në fondacionin e tij së bashku me avokatët. Kjo situatë, ku asnjë nga palët nuk ka ndërmend të ndryshoj qasje, mund të bëj që Messi dhe Barcelona të përfshihen në një gjyq të bujshëm për të zgjidhur këtë çështje.