BallinaKultureGolloborda dhe Dibra, një ngulmim për të krijuar një panoramë sa më...

Golloborda dhe Dibra, një ngulmim për të krijuar një panoramë sa më të plotë dhe sa më të qartë njohëse historike

spot_img
spot_img

Nga Halil Teodori

Në këtë komunikim ju ftoj të përcjellim shpalosjen njohëse të një krahine, vlerësimin me rigorozitet dhe përgjegjësi të fakteve dhe orientimin drejt një përcaktimi sa më përfaqësues dhe rigoroz të asaj që merr tagër nga e vërteta.

Vite më parë botova monografinë “Sabri Caka, krahu i shqipes në flamur”, në të cilin është bërë prezent jo vetëm roli, emri dhe kontributi i këtij personaliteti të rëndësishëm, por edhe gjithë komponentët e tjerë që në njëfarë mënyre plotësojnë panoramën e përfaqësimit dhe rikthimit në kujtesë dhe mirënjohje të Sabri Cakës.

Me gjithë përpjekjet që bëra, për ta plotësuar këtë kuadër, duke e konsideruar si të frytshme, njëherazi ndihmën e dhënë nga bashkëpunëtorët që m’u gjendën pranë, me gatishmërinë e tyre për të më mbështetur, me fakte dhe dëshmi për botimin e këtij libri, e kam cilësuar se e ndjej dhe e kam ende shumë gjëra të pa thëna. Megjithatë, çdo vullnet pozitiv është një përpjekje dhe çdo rrekje për të dëshmuar të shkuarën është një rreze drite që udhërrëfen rrugën e brezave.

Sot mendoj të trajtojmë një temë tjetër që është mjaft interesante dhe që kërkon prononcim nga intelektualët e Grykës së Zajeve, por edhe rivlerësim njohës të kësaj përkatësie gjeografike dhe historike, si një sipërmarrje për të promovuar një trevë, një histori, një rrjedhojë kohe, në shërbim të pasurimit të fakteve që e përafrojnë atë me gjithë krahinat e tjera, të cilat nuk janë më lavdiplotë se kjo, në emra as në histori.

Të gjithëve, por në veçanti intelektualëve u del imperativ nevoja e riparues dhe rishqyrtimit të fakteve dhe të vërtetave, të cilat i volisin krijimit të një klime besimi rreth vlerësimit të një njohjeje. Por lipset thënë se historia duhet të jetë e shkruar ashtu siç duhet dhe jo sipas pasioneve dhe orekseve të njërit apo tjetrit, të cilët nga pamjaftueshmëria e fakteve ose nga mjaftueshmëria e gjërave të përcipta, krijojnë pretendime premisash dominuese të së vërtetës për një zonë apo për një krahinë, për një emër apo për një personazh, për një vlerësim apo për një kontribut. Duhet t’u përcillet brezave nën dritën e fakteve dhe të vërtetave historike, ato elementë, ato faktorë përcaktues, të cilat janë jo vetëm bartës të së kaluarës, por edhe dëshmues të saj.

Jo vetëm për periudhën post-komuniste, por edhe atë të mëhershme, pak është shkruar për historikun e vendlindjes sonë. Zona jonë ka nxjerrë heronj dhe figura të shquara, personalitete të rëndësishme të kulturës dhe dijes, guximit dhe vendosmërisë, traditës dhe atdhetarisë. Kjo kolonë e gjatë dishepujsh të vlerave dhe krenarisë, i ka shërbyer vendit, por ata kanë ngelur pa u bërë të njohur, pa u përfaqësuar dhe vlerësuar sa dhe si duhet. Për ne është detyrim i gjeneratave që në emër të mirënjohjes, në emrin e thirrjes së gjakut, në emër të plisit, në emër të dinjitetit të vendlindjes, t’i njohim, t’i promovojmë dhe ta çmojmë kontributin e tyre. Sepse është kjo përpjekje, është ky angazhim, është kjo detyrë, ajo e cila na nxit të jemi ne ata që do të shkruajmë ato faqe të historisë që trualli na i ka besuar ne. Sepse vetëm ne mund ta matim dhimbjen e kësaj toke, ta dëgjojmë kushtrimin e këtyre maleve, t’u bindemi këshillave të etërve flokëbardhë, ta lehtësojmë dhimbjen e kësaj plage.

E shkuara vetëm përmes gojëdhënave ka ardhur brez pas brezi deri në ditët tona. Ne duhet të pranojmë se kemi detyrën historike të nënshkrimit të kësaj kontrate për të dëshmuar, për të trashëguar, për të çuar më tej, për të mos e lënë të shuhet, të vdesë, ta nënshtrojë harrimi, një pjesë të krenarisë sonë, një domosdoshmëri që udhëton në kohë për t’ua pasuar brezave si amanet. Po, atë amanet që nuk e tret as dheu.

Arsyeja pse unë i hyra kësaj qasje, ishte se në realitet është shënuar një ndryshim shumë i kufizuar në drejtim të shkrimit ndërnacional të historisë. Çfarëdo interpretimesh që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen, për atë kohë që ka shkuar, në kuptimin e atmosferës së përgjithshme të historiografisë, duhet thënë se pasqyrimi ka qenë jo i mjaftueshëm, por dhe mundësim i përvetësimit me pa të drejtë të historisë. Ky krim intelektual po vazhdon të bëhet rrugë. Dhe, është detyra jonë si intelektualë dhe individë me përgjegjësi të lartë qytetare dhe iluminuese, që ti themi ndal. Kësaj duhet t’ia arrijmë përmes ballafaqimit të dëshmive dhe fakteve, përmes atyre të vërtetave, të cilat edhe pse nuk janë thënë e demonstruar, ata janë vetë historia e kësaj krahine, e këtyre njerëzve, e kësaj përkatësie gjeografike dhe shpirtërore, kulturore dhe tradicionale.

Le të cekimin Grykën e Zajave, një udhë e gjatë me shumë histori dhe shumë të panjohura, me pak dëshmime dhe shumë tjetërsime. Gryka e Zajeve, e merr emrin sipas mendimit tim, nga se përbëhet nga shumë burime natyrore dhe që gjatë vërshimeve nëpër rrëpira formojnë shtretër më ujë, që gjatë periudhës së dimrit pothuajse të gjithë këto lumenj janë të pa kalueshëm. Rrugëtimi i ashëpr i këtyre lumenjve nëpër lugina shkëmbore ka bërë që erozioni, pushteti i dhunshëm i natyrës, sasitë e mëdha të vërshimit të ujit, e kanë mbushur këtë autostradë grykash në zoje.

Zanafilla e këtyre burimeve e ka burimin nga gurrat e Borovës, përgjatë gjithë lëvizjes që merr emrin e fshatit ku kalon.

Kur lumi arrin në Sebisht e merr emrin Zalli i Borovës, për të vazhduar më poshtë drejt Okshtunit, deri tek përzihen zajet me Zallin e Prodanit, Shullanit dhe Zallin e Plepes. Në Okshtun i thonë Zalli i Sebishtit. Më poshtë vazhdohet drejt dhe bashkohet me zallin e Tërnovës, ku ka një tjetër përzierje zajesh deri në Smollik, banoret e quajnë Zalli i Okshtunit. Dhe më poshtë në Lubalesh, emrohet Zalli i Smollikut, deri ku bashkohet me Lumin e Bulqizës e merr emrin Zalli i Lubaleshit.

Disa shkrues, nëpër gazetat e tyre, po punojnë në mënyrë sistematike duke e njësuar Grykën e Zajeve si territor të Gollobordës.

Kujtojmë se fshatrat që e përbejnë Grykën e Zajeve janë: Borova, Zabzuni, Sebishti, Muglica, Okshtuini i Madh, Prodani, Shullani, Plepa, Oreshnja, Ternova, Ternova e Vogël, Smolliku, Lubaleshi. Krijimi i këtyre vendbanimeve është e lashtë sa vetë historia. Njerëzia u vendosën përgjatë kësaj treve mbasi u shpërngulën nga fushat, sepse nuk e duronin shtypjen që u bëhej nga pushtuesit e huaj, të cilët nuk kanë qenë të pakët përgjatë rrjedhave të kohës. Një zhvendosje kjo që ka ndodhur jo vetëm në këtë pjesë të territorit shqiptar, por kudo, kudo ku njerëzit në pamundësi për t’u bërë vasalë të një pushtuesi të huaj, kanë braktisur gjithçka për të shpëtuar jetën dhe nderin, pasurinë shpirtërore dhe integritetin personal.

Duhet nënvizuar fakti se nga kjo trevë kanë dalë intelektual që i kanë dhënë zonës dhe tërë shoqërisë, në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Kohet e fundit sidomos në këto vite e ashtuquajtura të Demokracisë, kanë dalë shkrimtarë që pjesën më të madhe të këtyre fshatrave i quajnë Gollobord. Pra, sllavët duke gjetur terren të përshtatshëm në këto vite të vështira të tranzicionit demokratik, po mundohen ta shtrijnë sa më gjerë territorin e tyre. Kjo valë ekspansioni dhe dominimi, plaçkitjeje dhe tjetërsimi të historisë dhe vlerave përcaktuese të identiteti, ka qenë dhe mbetet një politikë e hershme asimilimi.

Për të vënë në ndakim këtë pretendim, duhet tu referohemi fakteve dhe të vërtetave, të cilat duhet t’i përdorim si armë mbrojtjeje të së vërtetës.

Kush është Golloborda?

1-Gollobordasit janë Sllav.

2-Gollobordësit kanë ardhur në këtë trevë, që ka marr emrin Gollobordë në shekullin e shtatë, kur vendi ishte nën perendorinë Bullgare.

3-Gollobordasit flasin vetëm gjuhën e tyre, që është gjuhë sllave.

4- Golloborda, gjuhën shqipe e flet si gjuhë letrare.

5- Golloborda nuk e flet gjuhën e Dibrës.

6- Golloborda ka ritet e veta, zakonet e veta, që janë ndryshe nga ato që ka Dibra.

7- Veshja e Gollobordës është karakteristike dhe përdoret vetëm nga kjo trevë.

Përpara se të vendosej popullsia e Gollobordës në atë trevë, zona ishte krejtësisht e pabanueshme dhe mbahej si vakëf. Popullsia e kësaj treve që përbën Gollobordën ka jetuar pothuajse gjithë kohën në kurbet.

Gollobarda dhe Gryka e Zajeve nuk kanë asnjë lidhje, veç se Okshtuni i Madh, i cili ka lidhje administrative me Ostrenin e Madh dhe vetëm kaq.

Po të përcjellësh me vëmendje ndër publikime të ndryshme, vëren se Hoxhë Hasan Muglica ishte gollobordas. Po kështu thuhet për Qemal Stafën, Sabri Cakën dhe për Mentor Muglicën. E vërteta flet krejt ndryshe.

Në kohën e pushtimit osman nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë, administrata turke u mundua ta bënte Gollobordën një Vilajet Sllav, thotë Profesor, Kristo Frashëri te “Historia e Dibrës”.  E gjitha kjo në kuadër të luftës sllave për shkomtarizimin e shqiptarëve. Dibra e priti me urrejtje të madhe këtë vendim dhe nuk e përkrahu.

Po kështu edhe Zerqani (Smolliku), vendlindja ime u fut nën admininstrimin sllav, gjë që Zerqani as që e përfilli një vendim të tillë. Në Smallik janë pesë-gjashtë shtëpi që flasin gjuhën e Gollobordës dhe e kanë marrë këtë nga se kanë krushqi midis tyre (i kanë marrë nuset nga kjo zonë, por jo që janë gollobordas).

Sqarojmë me përgjegjësi profesionale dhe historike se Hasan Muglica nuk ishte gollobordas. Familja e tyre kishte ardhur në Muglicë si rezultat i persekutimeve të sllavëve nga Dibra e Madhe (siç shkruan E. Muglica) në librin kushtuar Hasan Muglicës.

Ndërsa, Qemal Stafa ishte me origjin nga Stafajt e Okshtunit i cili kishte zbritur në Elbasan nga Zabzuni ku Familja Stafa kishte stanet. Me këtë dua të them se Qemal Stafa, gjithashtu nuk ishte gollobordas.

Me të njëjtën oponencë i përgjigjemi edhe për dy figura të tjera të rëndësishme të kësaj krahine, Sabri Caka e Mentor Muglica. Ata ishin dibranë dhe nuk ishin asnjë lidhje me Gollobordën, për më pak akoma, të ishin gollobordas.

Dy fjalë dua ti them dhe për vete dhe për familjen time!

Ka mundësi që ndonjëri të më njësoj me gollobordasit. Këto përçartje nuk jam i prirur t’i konsideroj si të qëllimshme, por thjeshtë mangësi të një predispozite për të ngritur një pretendim dhe një fakt mbi hipoteza dhe supozime. Por historia dhe e vërteta njeh dhe pranon vetëm faktet.

U bëj me dije dhe e vlerësoj si obligim qytetar dhe intelektual të kumtoj se as gjyshi e as stërgjyshi nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me Gollobordën, në traditë e zakone, doke e dëshmime, gjuhë as veshje. Ajo është krejt tjetër gjë dhe i përket një rrjedhoje të përkatësisë së saj, jashtë këtij përcaktimi.

Në shtëpinë tonë kurrë nuk është folur gjuha e Gollobordës, dhe për më pak akoma, të jetë zbatuar norma dhe kanune, doke dhe zakone të kësaj përkatësie gjeografike dhe historike, shpirtërore dhe kulturore.

Stërgjyshi im erdhi nga shehri, sot Dibra e Madhe, dy vjet para se Skënderbeu të merrte drejtimin e Arbërisë. Teodori ose (Todori, Tadori, Thedhori) gjatë gjysmës së dyte të shekullit të parë dhe gjatë gjysmës së parë të shekullit të dytë, ishin mbretëri në Iliriadë të Dardanisë. Ishte një nga mbretëritë më të zëshme, pjesë e Iliriadës së Dardanisë. Dy vëllezër ishin lënë aty që të gëzonin pasurinë e trashëguar ndër breza, ndërsa të tjerët, si të gjithë shqiptarët dardanë, kishin marrë rrugët e Europës.

Sot Teodorin e ke në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Angli dhe deri në Amerikë.

Me Teodorët në Itali dhe në Amerikë kemi marrëdhënie të përbashkëta, respekti dhe mirënjohje, sidomos në rrjetet sociale.

Duke u kthyer pas në histori, më duhet ti përmbahem asaj të vërtete, sipas së cilës, Teodori siguroi, Gjergj Kstriotin –Skënderbeun, të strehohet gjatë gjithë luftës së tij kundra hordhisë turke në Tërnovë të Vogël, në vendin e quajtur KESHOJCE. Këtë siguri e bënë stërgjyshërit e mijë bashkë me banorët e pakët vendas.

Pak a shumë kjo është ajo që desha të përcillja në mënyrë të përmbledhur rreth disa saktësimeve dhe promovimeve të vërtetash, të cilat duhet të konsiderohen dhe të trajtohen si elementë të vlertë për ndërtimin e një panorame sa më të qartë të zonave të ndryshme të vendit, veçanërisht atyre, për të cilat flitët pak. Kjo përpjekje do të jetë fillimi i kërkimeve dhe trajtimeve në materiale më të zgjeruara që do të vijnë për publikun e interesuar si një faqe e re e një historie të shkruar ngutaz, por edhe të sajuar sipas orekseve dhe dashurave personale të individëve, të cilët e kanë neglizhua rëndësinë që ka e vërteta për cilëndo krahinë dhe zonë, për secilën figurë dhe personalitet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular