Vrasja e Eglantina Bucit në vitin 2012 në Malin me Gropa u zbardh falë dëshmitarit të mbrojtur, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ekzekutimit të së resë.
Shkëlzen Buci, vëllai i Eglantinës, dhe Faik Buci babai i vajzës, janë të arrestuar dhe akuzuar për këtë çështje.
Hetimet për këtë ngjarje nisën në vitin 2017, kur u arrestua Shkëlzen Buci. Ai u akuzua dhe dënua për vrasjen e mbetur në tentativë të aktorit Mishel Prela. Njëri ndër të akuzuarit për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Prelës, ishte edhe shoku i Shkëlzen Bucit, i cili ka qenë i pranishëm në vrasjen e Eglantina Bucit.
Ky person, që sot është dëshmitar i mbrojtur, i ka treguar policisë të gjithë ngjarjen e vitit 2012 në Malin me Gropa. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Opinion” se në këtë moment, ai mori statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe tregoi se Shkëlzen Buci kishte vrarë motrën e tij Eglantina Buci me porosi të babait.
“Kur ata po i komunikonin mbylljen e hetimeve për tentativën e vrasjes së Mishel Prelës, ai një moment ka shpërthyer në lot dhe ka thënë: Unë nuk e mbaj dot më, po çmendem nga kjo histori, dua t’ju rrëfej dhe një krim tjetër. Aty është thirrur një avokate shumë e re, të cilën e kanë patur për ta patur procedurialisht në rregull, i është kërkuar edhe avokates të mos fliste. Ka treguar të gjithë ngjarjen. Problemi është që policia kishte të qartë të gjithë mekanizmin, por nuk mund të firmoste urdhër-arrest për babain dhe vëllain e vajzës, sepse nuk kishte trupin. Pra e kishte të pamundur të ngrinte një akuzë për vrasje”, thotë Lala.
Gazetarja dha detaje edhe se si u largua Eglantina nga familja dhe shuma që ajo mori.
“Eglantina largohet nga familja në vitin 2008 me një djalë të cilin e kishte dhe komshi. Pretendohet se ka marrë rreth 12 milionë Lekë të vjetra dhe është larguar. Marrëdhëniet mes tyre nuk shkuan siç duhet. Ata ishin shkëputur. Me të vetmin njeri që mbante kontakte Eglantina, ishte xhaxhai, sepse ai e konsideronte si vajzë të afërt. Shkëlzën Buci vendos të përdorë si karrem mikun e tij më të ngushtë. I thotë do të japë numrin. Vajza kishte shkuar të merrte pjesë në një videoklip të një këngëtari tallavaje dhe babai ishte rrahur me këngëtarin. I është dhënë numri i telefonit nga Shkëlzeni shokut të tij më të ngushtë. Dhe ai flet. Shkëlzën Buci blen një unazë dhe ja jep karremit. Ai shkon i propozon. Kur Eglantina me telefonatat e saj po bëhej shqetësuese për famljen time, unë vendosa të shkoja t’i thoja të vërtetën, thotë dëshmitari. Pihet një kafe mes të gjithëve bashkë. Eglantina besoi që më në fund gjeti rehati në familje. Personi i penduar i jep Shkëlzen Bucit njërin nga makinat që kishte në përdorim. Ne u nisëm të tre, unë, Shkëlzeni dhe Eglantina. Eglantina e pyeti Shkëlzenin ku po shkon. Kur ai mori në drejtim të Malit me Gropa, ajo filloi të qante dhe të dridhej. Në momentin që e nxori me forcë nga makina ajo filloi të bërtiste. E qëlloi me armë në fytyrë dhe më pas e qëlloi herë të tjera”.