Nga Basir Çollaku
Partia Demokratike, po ndërton një filtër të ri kujdesi në këtë aksion të formësimit të përfaqësimit, për garën elektorale të 25 prillit 2021.
Këtë herë ndryshe nga e shkuara, ka një qasje të shtuar. Ka shenja se duam të përballemi me të, zgjatimet, produktet, investimet e saj. Në kapitullin 6 të pyetsorit të formularit të vetdeklarimit, pyetja e 10-të, mund të them se është njëherësh e para për nga pesha politike në raport me demokratët. Eshtë stacioni i rrëfimit detyrues të mëkateve të së kaluarës, ku pakujdesia drejt joshjes dhe përpjekja për të fshehur, janë skualifikim, përgjegjësi sa morale, politike, aq edhe ligjore. Shkoqitja e këtij pyetsori, përcjell drejtpërdrejt një dijeni për këdo mendon të jetë përfaqësues politik i të djathtëve. Thembra e Akilit është pikërisht kjo.
Keni qenë pushtetarë të rëndësishëm partie, qeverie, institucionesh hetimi, sigurimi, përpara viteve 90?
Më konkretisht:
Në kapitullin 6, ku kërkohen të dhëna mbi aktivitete private, sigurinë dhe pastërtinë e figurës, pyetja nr 10 thotë:
“…Të dhëna mbi përfshirjen në veprimtari politike gjatë periudhës së komunizmit:
Në periudhën 29.11.1944 -02.07.199, a keni qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme?
Kjo pikë mendoj se tashmë ka një barrë të rëndësishme prove. Janë në këto dekada teorikisht lirie, shumë komisione pastërtie, si “Mezini”, “Bezhani”, në filtrin e të cilëve kanë kaluar, mjaft, për të mos thënë shumë, përfaqësues të së shkuarës diktatoriale. Majtas kryesisht, por nuk kanë munguar me tepri edhe djathtas. Duke shfrytëzuar këtë rrjet, Politika në Tiranë, ngjante dukshëm në një rreth, ku vendimmarrja i përkiste të shkuarës, njërëzve të licensuar prej saj dhe jo atyre të mandatuarve në datat elektorale, rëndësia apo pesha e të cilave, erdhi duke u bërë anemi alarmuese. Dua të risjell një bisedë, pjesë e një interviste shumë mote më parë, me Nafiz Bezhanin. Duke iu përgjigjur njërës prej pyetjeve, për punëtorë, bashkëpunëtorë, njerëz të Sigurimit të Shtetit nëpër parti e pushtete pas viteve 90-të, ish-kryetari i Komisionit të pastërtisë së Figurës më tha:
-Po ja, më kanë rezultuar nga këta të mandatuarit, sipas objektit të ligjit, mbi 100 nga të majtët, e tre apo katër nga të djathtët”
Hapur mosbesues, i rithem: -Avokat druaj se shifrat janë pak të ngurta, në perceptimin tim të pavërteta, andej, majtas, ata janë në oborrin e tyre politik, por në anën tjetër, djathtas, si pak emra paskan dalë, duke ditur investimin e kontrollit të partive…
Epo ç’të të them unë, më përgjigjet Bezhani, shifrat ndryshojnë shpesh vend me njëra-tjetrën, -duke më lënë të merrja vesh informalisht, se të dhënat nuk është se ndryshonin shumë për nga barabartësia, ashtu si shpërndarjen do e kenë bërë licencuesit.
Jemi sot, 30 vite, kur ky proces duhej të kishte marrë fund në të gjithë politikën, administratën, sistemin e drejtësisë. Jo. Sot janë shtuar kudo. Madje në nivele drejtuese plot herë më shumë. Paçka se ambasadorët, të punësuar të vendeve të tyre, si rrogtarë qejfi, se vrasin mendjen për këtë histori diktature, e cila ende jeton njëherësh kontrollon Shqipërinë. Niseni me Gramoz Ruçin, arsye e mjaftueshme për të mbyllur Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, drejtuar nga Genta Sula, për sa kohë ai është në atë detyrë, si numri dy i shtetit. Jo duke u larguar, por duke u ngritur në karrierë nga e kaluara diktatoriale, kur gjendej si ministër epror i sigurimsëve.
Basha dhe Partia Demokratike, kërkojnë të ndahen nga ky kapitull. Ata kanë zbritur në kërkesë njoftunie deri në denoncues, dëshmitar, favorizues. Mund të kishte shkuar më mirë, por është domosdoshëm mirë. Mendoj se Partia Demokratike, për të gjithë deklaruesit, duhet të përcjellë kërkesë te Autoriteti i Dosjeve, për të marrë përgjigjet zyrtare, të cilat i përball me nënshkrimet. Edhe nëse ka aksidente ndër dosje në arkivat e Autoritetit, ka dosje të gjalla, njerëz tregues të vërtetë të persekutorëve dhe përndjekësve. Në pritje për të qeverisur nesër, demokratët dhe aleatët e tyre, duhet të kushtëzojnë njëjtë formularin për administratën, në çdo lloj niveli, sa i përket këtij kapitulli, pikërisht pyetjes nr 10. Kjo pike, nëse merret seriozisht, është mbyllja njëherë e mirë e tranzicionit politik të një partie, lindur me këtë mision, por njëherësh ndarja me të shkuarën e pranishme në të gjithë pushtetet. Ky është mision me të cilin ndryshon vendi. Të tjerat janë pak poezi partie, zilie, dashurie, urie, ndaj besoj se pyetja nr 10 e kapitullit nr 6, në formularin e vetëdeklarimit të integritetit dhe figurës nga PD, është një bast që u nis dje, hodh sot, shpallet nesër.