Kryebashkiakja demokrate e Shkodrës, Voltana Ademi, iu drejtua sot me një videomesazh, bashkëqytetarëve të saj, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020-2021. Znj. Ademi tha:
“Të dashur bashkëqytetarët e mi! Në këtë vit të ri shkollor dua të uroj të gjithë për mbarësi e suksese!
Ndërtimi i shërbimeve të reja dhe fuqizimi i shërbimeve komunitare ekzistuese, ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona kryesore.
Kemi vleresuar me shumë kujdes shtrirjen cilësinë e shërbimeve komunitare në tërritor, duke dëgjuar nevojat tuaja për kopshte, çerdhe, qendra shendëtësore, kënde lodrash për fëmijët.
Kemi punuar fort dhe me shumë dëshirë për të fuqizuar kopshtet dhe çerdhet ekzistuese por edhe kemi projektuar e ndërtuar institucione të reja për fëmijët tuaj.
Kopshtin “Ismet Sali Bruçaj” e kemi rikonstruktuar krejtësisht dhe kemi ndërtuar një fushë të hapur sportive për fëmijët.
Në kopshtin “Bep Tusha” kemi sistemuar oborrin dhe kemi ngritur këndin e lojrave shumë të nevojshëm për fëmijët.
Në kopshtin “1 Qershori” kemi kryer punime rikonstruktuese në mjediset e brëndshme, kemi pajisur dhe mobiluar këto mjedise duke shtuar kapacitetet e kopshtit me 2 grupe të reja. Gjithashtu sapo kemi sistemuar oborrin duke ngritur këndin e lodrave.
Rrugëtimi ynë filloi me ngritjen e kopshtit të ri në shkollën “Edith Durham”.
Shtatorin e vitit të kaluar, në fillim të vitit të ri shkollor inaguruam kopshtin dhe çerdhen e re “Ngjyrat”, duke përmirësuar më tej nevojat e komunitetit të Lagjes nr. 1.
Këtë fillim të vitit të ri shkollor kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e ndërtimit dhe vënien në funksion të plotë të kopshtit dhe çerdhes më të re në qytetin tonë “Njomëzat”, duke përmirësuar me tej sherbimet komunitare për banorët e lagjes 5 dhe 3.
Ne e dimë se për shërbime më të mira dhe të reja ka përsëri nevojë dhe ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugëtimin tonë. Godina e ish- Shkollës Veterinare është ndërhyrja jonë e radhës. Kemi projektuar dhe do të fillojmë punimet për ndërtimin e kopshtit dhe çerdhe më të re në Bashkinë tonë.
Falënderoj mësuesit, edukatorët dhe kujdestarët dhe të gjithë ata që bëjnë të mundur funksionimin e shkollave, çerdheve e kopshteve.
Në këto ditë të vështira të pandemisë, është e domosdoshme të respektojmë rregullat për tu mbrojtur nga Covid 19. Sigurimi i vazhdimësisë normale për edukimin dhe shëndetin e fëmijëve tanë është detyrë e përgjegjësi e jona.
Ju uroj të gjithëve vit të mbarë shkollor, suksese!”