Vendimi për ta shkarkuar Besa Shahinin pikërisht në ditën e parë të shkollës e bëri akoma më të hidhur largimin nga detyra të ministres së Arsimit. Dita e parë e shkollës, supozohej të ishte momenti i saj i vëmëndjes mediatike. Në garën për “share” dhe “like” brenda Rilindjes, Shahini nuk qe imune, ndaj për ta shijuar 14 Shtatorin, bëri xhiron në shkollat fillore që herët në mëngjes.
Siç e do zakoni i Rilindjes mori me vete fotografin personal, shfrytëzoi të miturit për kolazhin e ditës, pastaj zgjodhi fotot më të bukura dhe i postoi në Facebook. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Por dita nuk kishte mbaruar ende për Ministren e Arsimit në detyrë. Pasdite, i trokiti papritur në zyrë Edi Rama dhe më e rëndë se prania e kryetarit, ishte ajo e Evis Kushit, pasuesja në detyrën që Besa kishte planifikuar ta mbante edhe ca muaj.
Për nga mënyra se si u zhvillua shfaqja e djeshme, duhet kuptuar se sa aksidentale dhe sa rastësore janë zgjedhjet që bëhen për në nivelet më të larta të qeverisjes. Për vite me radhë në krye të Partisë Socialiste dhe në qeveri, nga Edi Rama janë larguar në të njëjtën formë të papritur disa gra dhe vajza të tjera, që mund të konsiderohen njësoj aksidentale në politikë.
Megi Ajtyresa
E reja u katapultua në krye të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë dhe sot nuk gjendet kund në jetën publike si përfaqësuese e socialistëve. Rama i dhuroi një post të rëndësishëm në PS, siç ishte drejtimi i forumit rinor. Megjithëse dy konkurentët e saj u tërhoqën nga gara, Ajtyresa nuk e pati problem që u zgjdh automatikisht kryetare e forumit. Nuk la asnjë gjurmë dhe me të mbaruar mandatin u mënjanua nga strukturat e partisë, për të mos u rikthyer në asnjë post drejtues gjatë qeverisjes së PS pas 2013.
Ermira Danaj
Vështirë të mbahet mend Ermira Danaj për “karrierën” në Partinë Socialiste. E emëruar nga Rama në krye të Forumit të Gruas në Partinë Socialiste ajo i dha fund eksperiencës disamujore për shkak të mosmarrëveshjeve e Edi Ramën. Mënyra si iku, ishte po aq e shpejtë, sa mënyra siç u katapultua në PS.
Keti Bazhdari
Keti Bazhdari u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, kur u emërua në mënyrë të papritur si kryetare e grupit të punës për të përndjekurit politikë. Posti i dha mundësinë të ishte zëri i socialistëve në disa raste nga salla e konferencave në selinë e PS. Në vitin 2015 kandidoi për Bashkinë e Shkodrës dhe humbi. Nga reagimet në rrjetet sociale apo në portale, duket se qejmbetjet me Ramën e kanë distancuar nga PS.
Rudina Seseri
Ajo u prezantua si një gjeni i financave publike në Partinë Socialiste dhe në 2009 u zgjodh deputete. Pas dy vitesh në Tiranë, Seseri braktisi Ramën dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë familjes. Në intervistën e fundit që dha, e quajti Ramën një njeri të vështirë. “Rama ka një kombinim të pazakontë kreativiteti, aftësie për të ekzekutuar dhe vizioni dhe ato e bëjnë njeri si të vështirë për të dhënë e për të marrë” u shpreh ajo në një intervistë të disa viteve më vonë.
Milena Harito
Një emër tjetër kalimtar në qeverisjen e PS është Milena Harito. Ajo u shfaq në Partinë Socialiste me një buzëqeshje në fytyrë pak para zgjedhjeve të 2013. Shpejt u bë Ministre për Inovacionin dhe pas 4 vitesh nisi të flasë për familjen që kishte lënë në Francë. Pas kësaj Harito i tha “lamtumirë” Rilindjes, duke lënë pas imazhin e të njëjtës buzëqeshje të pakuptimtë.
Sonila Qato
Sonila Qato dha dorëheqjen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe për pasojë u distancua nga Rilindja pak kohë më parë, pas përplasjeve për tenderat me kompaninë “Gjoka konstruksion”. Rama e zgjodhi papritur ministre Shteti per Mbrojtjen e Sipermarrjes. “Jo nuk e dija. E mora vesh në televizor” tha ajo kur u pyet se si e mori vesh emërimin.
Gra dhe vajza që vijnë dhe ikin sikur të punonin part-time në një kompani private, në shpërfillje të kritereve dhe parimeve që funksionon karriera në një parti politike. Nuk ka rëndësi aftësia profesionale, arritjet, eksperienca, kontributet në parti apo jetën publike, kur emërohesh e për pasojë llogaridhënia në detyrën publike as nuk imagjinohet.
Fenomeni është shprehje e paaftësisë për të krijuar dhe udhëhequr një ekip me njerëz të sprovuar, të përgatitur, që promovohen në bazë të karrierave politike, aftësive dhe rezultateve në detyrë.
Për këtë arsye, shkaqet nëse rri apo ikën nga qeveria kanë degraduar tek marrëdhenia personale që ke me Edi Ramën. Ndaj është shumë normale brenda Rilindjes, ta përfitosh emërimin me një fjalë goje, por nuk është çudi pastaj të flakesh tej për një fjalë goje. ©Lapsi.al