Gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi u zbulua se ishte pjesë e një skeme korrupsioni me miliona euro, ka kërkuar leje nga SPAK për të vizituar vajzën e saj.
Burime për News24 bëjnë të ditur se gjyqtarja ia ka dorëzuar kërkesën SPAK, për të marrë leje për të parë vajzën e saj.
“Gjatë kohës që ndodhem në masë arrest shtëpie vajza ime ka manifestuar një gjendje hemorragjie, gjak nga hundët, ngjarje e ndodhue në datën 15.09.2020. Kam njoftuar mjekun e lagjes, i cili nëpërmjet rekomandimit me shkrim ka udhëzuar për vizitë klinike pranë specialistit përkatës. Në kushtet që ndodhen në arrest shtëpie e kam të pamundur të asistoj vizitat dhe mjekimin e vajzës për shkak se edhe bashkëshorti siç edhe jeni në dijeni ndodhet në paraburgim me vendim gjykatë dhe nuk kam njerëz të tjerë familjare apo të afërm të më ndihmojë. Ju lutem më mundësoni nëpërmjet ndonjë akti shkresor të lëshuar nga ju, miratimin e shoqërimit të vajzës në kryerjen e vizitave mjekësore”, thuhet në shkresë.
Në përgjigje, Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mos e miratojë lejen e gjyqtares.
Pjesë e kësaj skeme korruptive ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara, i cili është lënë në “arrest me burg”.