Tashmë është konfirmuar largimi i Xhemi Shehut nga spektakli i humorit “Portokalli” si moderatore, dhe gjithë kurioziteti ishte për zbulimin e emrit të pasardhëses së saj.
Në fakt pasardhësja do të jetë pikërisht paraardhësja e Xhemit, dhe fjala është për këngëtaren Eneda Tarifa. Ajo do t’i rikthehet “Portokalli-së, 4 vite pas largimit nga ky spektakël.
Duket se ky rikthim i këngëtares është vendosur tashmë nga produksioni dhe pritet shfaqja e saj e parë në fillim të tetorit, kur nis edhe sezoni i ri televiziv.
Që prej muajit korrik nisën të qarkullonin lajmet se moderatorja e njohur, Xhemi Shehu, nuk do të ishte më pjesë e “Portokallisë”. Madje, ajo nuk ishte as pjesë e promos së spektaklit të humorit për këtë sezon të ri, duke shtuar akoma më shumë dyshimet.
“Duket se që nga mëngjesi që këtë vit, këtë sezon nuk jemi për televizion,” u shpreh Arbana Osmani.
Ndërsa Xhemi Shehu iu përgjigj: “Për këtë sezon? Unë nuk jam për gjithë jetën.”
Megjithatë së fundmi, Xhemi Shehu ka lënë të nënkuptohet se nuk do jetë më pjesë e televizionit.
Mikja e saj Arbana Osmani postoi një video në InstaStory teksa kalonin mëngjesin nën shoqërinë e moderatores. Xhemi ka deklaruar se nëse largohet nga moderimi i “Portokalli-së”, nuk do të jetë më pjesë e televizionit.
Nuk dihet nëse deklarata e saj ishte thjesht një shaka, apo me të vërtetë Xhemi Shehu është larguar përfundimisht nga televizioni. Gjithsesi tani është fakt se në vend të saj rikthehet sërish Eneda, e cila u largua para katër vitesh, kur modelonte në një skenë me Xhemi Shehin dhe Salsano Rrapin.
Në një intervistë për emisionin “Rreze Dielli”, aktori i humorit foli për kiminë me dy moderatoret që spikatën në “Portokalli”. Midis Eneda Tarifës dhe Xhemi Shehut, Salsano ka bërë zgjedhjen e tij, se cila e bën të ndjehet më komod.
“Unë kam pasur tre periudha, kam qenë vetëm me Enedën, me të dyja dhe vetëm me Xhemin. Krahasimisht të dyja janë të mira, kimia ka qenë njësoj me të dyja. Duke qenë natyra të ndryshme femërore, kimia ime është e ndryshme me to. Eneda ka qenë më strikte, për shkak se erdhi nga një profesion që vetëm këndonte dhe moderimi ishte diçka e re, ndërsa Xhemi kishte eksperiencë të mëparshme. Fakti që unë vazhdoj të jem me Xhemin duket sikur kimia është me të. Në ndryshim nga Eneda, Xhemi batutën e ka në majë të gjuhës dhe kurrë nuk ngec! Meshkujve i pëlqejnë shumë të nëdrrojnë femrat, por Xhemi më rri ngjit”, u shpreh Salsano Rrapi, padiskutim me doza humori brenda.
Dhe duket se me këtë deklaratë ka bërë dhe një historik, se si e nisi me Eneda Tarifën prezantimin e “Portokallisë”, si iu bashkua dyshes dhe Xhemi për të prezantuar të tre, e më pas si do të largonin Enedën, dhe që prezantimi femëror të dominohej nga vetë Xhemi.
Duket si një lojë, por që në prapaskenë ka pasur “luftën e ftohtë” mes Xhemit dhe Enedës, kush e kush të fitonte epërsinë dhe fronin e drejtimit të spektaklit të madh të humorit “Portokalli”.
Nuk dihet nëse rotacioni do të vazhdojë sërish, dhe sezoni tjetër mund të shohim sërish Xhemin në skenën e “Portokalli” pasi dihet që asaj i ka pëlqyer gjithmonë të jetë pjesë e tij. Sa i përket show-t, të shumta kanë qenë largimet këtë vit nga Portokalli, duke pasur si shkak konfliktet me drejtuesit.
Nuk dihen ende arsyet e largimit të Xhemit, por kujtojmë se moderatorja më herët ka deklaruar se ky format ishte gjëja e fundit që do të bënte në karrierën e saj, duke mos dashur të kalonte në një tjetër spektakël.
Ndoshta ky është fundi i karrierës për të duke iu përkushtuar bizneseve, e duke ia lënë tashmë stafetën, asaj që ia mori 4 vite më parë, Eneda Tarifës.