Përllogariten gati dhjetë mijë maturantë që do të kërkojnë mundësinë më të mirë për t’u regjistruar në universitet në këtë dhjetëditësh.
Nga sot deri më 9 tetor nis zyrtarisht raundi i dytë i regjistrimeve për shtatë mijë maturantët aplikues që nuk fituan dot në raundin e parë bashkë me maturantët e vjeshtës (pasi shlyen detyrimet e maturës shtetërore) dhe ata të viteve të kaluara që aplikuan me Formularin A3.
Ndryshe nga raundi i parë, si koha, ashtu dhe mundësitë e përzgjedhjes janë më të pakta, pas ezaurimit të shumicës së kuotave kryesore në degët e shumë kërkuara. Kështu që aplikuesit duhet të kërkojnë mundësinë më të mirë me ato që iu ofrohen.
Po ashtu, lëvizjet e vijës së kuqe në regjistrimet e dyta do të jenë më të ngadalta. Zgjedhja e zgjuar për dhjetë mijë të rinjtë që janë përpara një prej vendimeve më të rëndësishme në jetë është të gjejnë balancën midis meritës (pikëve që kanë) dhe preferencës (programit që duan). Ata që gjetën ID në listën e fituesve këto ditë, e kanë më të thjeshtë.
Të tjerët duhet të monitorojnë çdo 48 orë lëvizjen e vizës së kuqe dhe klasifikimin në listë për raundin pasues. Shumëkush duhet ta “nuhasë” nëse dega që dëshiron është shumë larg shënjimit me të gjelbër, ashtu sikundër duhet t’i qëndrojë besnik asaj që do, duke pritur me durim në rast se ndodhet afër klasifikimit. E gjitha është luftë me kohën.
Nga shtatë faza, ky raund vjen me pesë të tilla, në varësi të të cilave duhet të përllogarisë edhe kohën që i duhet për t’u shpallur fitues. Sidoqoftë, për ata që nxitohen, ka një zgjidhje. Një afat dyditor çregjistrimesh është parashikuar pas datës 9, për të riaplikuar në raundin e tretë dhe të fundit. Por duhet pasur kujdes. Për çdo raund që kalon, kuotat e lira janë gjithnjë e më të limituara.
Para se të bëjnë çregjistrimin në një degë me mendimin që do fitonin diçka tjetër më të mirë, të rinjtë duhet të sigurohen që ka vende bosh në atë ku duan të shkojnë. Muaji tetor përkon me raundin e fundit që presupozohet të mbushë kuotat bosh në universitete. Në këtë vit, ndryshe nga ata që shkuan, IAL-të kanë mundësi të bëjnë rialokim kuotash, duke kaluar ato që nuk mbushen një tjetër programi ku ka interes nga ana e të rinjve. I gjithë procesi parashikohet të mbyllet më 31 tetor (sipas kalendarit të datave bashkëngjitur shkrimit), për të rinisur dy ditë më vonë vitin e ri akademik.