Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, prezantoi dje planin me 5 pika për rimëkëmbjen e vendit nga pandemia e koronavirusit. Pak më vonë, edhe kryeministri Edi Rama u shfaq me një plan ekonomik përpara medieve.
Diferenca në shikueshmërinë e tyre në rrjetet sociale ishte e dukshme. Basha kishte dyfish më shumë ndjekës. Por edhe në sondazhe, plani i Bashës është më i besueshëm.
“Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD Lulzim Basha prezantuan programet ekonomike të rimëkëmbjes. Me cilin jeni dakord?” pyet Top Channel në sondazhin e tyre online.
Mbi 74 përqind janë dakord me Bashën, vetëm 25 përqind me Ramën.
PLANI I RIMËKEMBJES
1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a) Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.
b) Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.
c) Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.
d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.
2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurt: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt, duke:
a) Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b) Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c) Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulëta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përveç pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b) Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar çdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a) Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës.
b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative