Kryeministri Rama paralajmëroi se nesër do të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat opozita e bashkuar është kundër. Por për Partinë Demokratike, këto miratime nuk do ta pengojë opozitën të fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Në një konferencë nga selia blu, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi tha se i takon parlamentit që të mos kalojë draftin e mazhorancës.
Bylykbashi tha se nene te veçanta të Kodit që do të miratohen nesër, bien ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Opozita e bashkuar tashmë ka shpjeguar qartë qëndrimet e saj sa i përket kësaj tentative për të ndryshuar rregullat. Ajo që është e qartë është që sido që ta bëjë sistemin, opozita fiton zgjedhjet e ardhshme. Synimi ynë është që rezultati të jetë i thellë që Rama mos ndryshojë sistemin si ai dëshiron.
Ndryshimet e nesërme nuk do të pengojnë fitoren e opozitës në asnjë rast. Më pas është barra morale për të gjithë ata që i dhanë mundësinë Ramës të ndryshonte kushtetutën nëpërmjet pazareve. Dispozita të caktuara shkojnë ndesh me rekomandimet e OSBE/ ODIHR.
Është detyrë e atij parlamenti që nesër të mos ta kalojë atë draft që do të dërmojë zgjedhjet, por kjo nuk do të pengojë fitoren e opozitës”, tha Bylykbashi.