Prej muajit janar të këtij viti, ministria e Brendshme nuk po paguan dietat për forcat e policisë gjatë shërbimeve të tyre jashtë punës.
Sipas një prononcimi për gazetën “Shqip”, kreu i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta tha se deri më tani sipas përllogaritjeve të bëra, çdo efektiv policie është në borxh gati 2 mln lekë, pasi shpenzimet e kryera në shërbime janë paguar me fondet e tyre.
“Nëse do të përllogaritnim shumën totale të borxheve të gjithë efektivave të policisë janë afro 400 mln lekë që ministria e Brendshme duhet të kishte shpërndarë për dietat e forcave të policisë të papaguara deri më tani”, tha Fishta.
Por duket se deri në fund të vitit nuk ka asnjë shpresë që dietat të paguhen. Ndonëse është e parashikuar në ligjin e ri “Për Policinë” të vitit 2014 që punonjësi i policisë përfiton dieta në rast të shërbimeve jashtë vendbanimit, duket se ligji ekziston vetëm në letër.
Kreu i Sindikatës së Policisë tha për “Shqip” se drejtuesit e ministrisë së Brendshme justifikohen me faktin se nuk kanë buxhet të përcaktuar për pagesat e dietave për vitin 2020.
“Punonjësit e policisë janë ata që u përballën gjatë fatkeqësisë natyrore të 26 Nëntorit, duke qëndruar pranë qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti. Forcat e policisë ishin në gatishmëri të lartë edhe gjatë periudhës së karantinës kur vendi u izolua nga pandemia e koronavirusit. Të mos zbatosh një të drejtë që buron nga ligji, është padrejtësi dhe mungesë e plotë e respektit për punën e tyre”, tha Fishta. Sindikata i bën thirrje ministrisë së Brendshme të respektojë ligjin dhe të paguajë punonjësit e saj brenda vitit pasi të gjitha shpenzimet e kryera deri më tani për shërbimet e tyre janë fatura që kanë prekur ekonomitë familjare të 13 mijë uniformave blu. Gazeta Shqip