Fushata e PS-së për të mbledhur rreth saj disa emra të njohur të skenës është pritur me humor dhe ironi në rrjetet sociale. Së fundmi edhe këngëtarja Eli Fara deklaroi përkatësinë e saj. Ndërkohë, gazetari Agim Xhafka, në faqen e tij në FB ka postuar disa ‘perla’ që nuk duhen humbur.
***
U gëzua Leko kur mësoi se Eli Fara e paska shtëpinë pranë tij.
-Do i bësh ndonjë vizitë?- e ngacmova.
-Jo,jo. Do shkoj të paguaj taksat e bashkisë.
-Taksat?!
-Mos u çudit. Sa të sorollatem nëpër zyra poshtë e lart ia çoj direkt. Se atje do shkojnë prapë ato para. Pse t’ia vonoj,-tha Leko i kënaqur.
***
Për atë zot “Kastro Zizo” e dija pije alkoolike, tha Leko.
***
Lali Eri sapo mori dekoratën “Për zgjedhjet model në Japoni”.
***
Korça e ka çmimin e ujit më të shtrenjtë se Tirana, thotë Zdromsi. Normal, se uji i Korçës pihet. Me ujin e Lalit edhe këmbët po të lash të zë barku.
***
-Vodhën bankën qëparë.
-Cilët?
-Qenë tre punëmbaruar.
-Punëmbaruar?!
-Po, kështu quhen hajdutët sot.
***
U ktheva në Tiranë pas 6 muajsh. Nga vapa e madhe sa hapa derën drejt e te dushi. U lava e u freskova, por sa dola nga kabina dëgjoj klithmën e gruas:
-Mos lëviz! Të ka zënë korona. Alo 127!
Vuri maskën, ma ngjeshi dhe mua në fytyrë.
-Nga e kuptove, moj?-u lebetita.
-Je bërë i zi si arap, kuptohesh një orë larg,-më tha.
Atë çast hoqa maskën dhe ia nisa gazit.
-Po është llumi i çezmës, zemra ime,-e qetësova.
Hyra prapë te dushi. U shpëlava krejt me një bidon ujë “Lajthiza”. Dola i shëruar. Ndrisnin sytë e gruas, ndrisnin…