Në një lidhje direkte nga Brukseli, gazetarja e njohur Erisa Zykaj është shprehur se as në dhjetor nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë.
Per emisionin “Tempora” sot ne mbremje në RTV Ora, Zykaj tha se ky është fakt i bërë i ditur nga disa prej shteteve anëtare të Unionit.
Erisa Zykaj: “Negociatat nuk do të çelen në dhjetor. Ky është një fakt dhe këtë e kanë bërë të ditur disa shtete anëtare të Bashkimit Europian. Nuk çelen sepse nuk janë plotësuar tre kushtet e para të kushëzimit të BE.
Sonila Meço: Që janë?… I përsërisim edhe një herë?
Erisa Zykaj: Kanë të bëjnë me dy “D”-të e famshme. Demokracia dhe drejtësia. Dy kushtet e para janë, Reforma Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe e dyta, funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Këto janë dy kushtet e para në 15 kushtet që shtetet anëtare të BE i kanë vënë Shqipërisë për të hapur ose çelur negociatat e anëtarësimit.
Zyrtarisht, me mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare, kemi të bëjmë me një situatë serioze pasi këtu bëhet fjalë për themelimin e një shteti të ri. Shtetet anëtare thonë, nuk keni demokraci, nuk keni drejtësi dhe nuk keni të drejta themelore”.