Koronavirusi mund të kthehet për herë të dytë, dhe të jetë më i rrezikshëm se herën e parë. Mjekët kanë ngritur shqetësimin pas rastit të një djali në Shtetet e Bashkuara i cili u infektua me Covid-19 dy herë, dhe së fundmi, infeksioni ishte shumë më i rrezikshëm se në fillim, raporton BBC.
25-vjeçari kishte nevojë për trajtim spitalor pasi mushkëritë e tij nuk mund të furnizoheshin me oksigjen mjaftueshëm.
Megjithatë, riinfektimet mbeten raste të rralla, dhe i riu tani është shëruar edhe pasi u prek për herë të dytë.
Por studimi i ‘The Lancet’ ngre pikëpyetje se sa imunitet mund të ndërtohet ndaj virusit.
Djali nga Nevada nuk kishte probleme shëndetësore të mëparshme që e rrezikonin atë në grupin e personave vunerabël.
Shkencëtarët thonë se një krahasim i kodeve gjenetike të viruseve që infektuan të riun, tregoi se ato ishin shumë të ndryshme për t’u shkaktuar nga i njëjti infeksion.
“Gjetjet tona sinjalizojnë se infeksioni i mëparshëm nuk mund të të mbrojë domosdoshmërish nga infeksioni në të ardhmen. Mundësia e ri-infektimeve mund të ketë implikime të rëndësishme për të kuptuar ne imunitetin ndaj Covid-19.”, tha Dr Mark Pandori, nga Universiteti i Nevada.
Ai tha se edhe personat që janë shëruar nga koronavirusi duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet për distancim social, mbajtjen e maskave dhe të lajnë duart.
Shkencëtarët janë ende duke u përballur me çështjen e mprehtë të koronavirusit dhe imunitetit ndaj tij.
A bëhen të gjithë imunë? Edhe njerëzit me simptoma shumë të lehta? Sa zgjat imuniteti?
Këto janë pyetje të rëndësishme për të kuptuar se si virusi do të na ndikojë në një plan afatgjatë dhe mund të ketë implikime për vaksinat dhe teori të tilla si imuniteti i tufës.