BallinaEkonomiKriza, të ardhurat në Buxhet bien 290 mln euro, rrudhen investimet

Kriza, të ardhurat në Buxhet bien 290 mln euro, rrudhen investimet

Me të ardhurat që kanë rënë me 10.3% për 9 mujorin, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga -3% që ishte parashikimi në buxhetin e rishikuar, financat po detyrohen që të rudhin dorën për të kryer shpenzimet.

Ministria e Financave njoftoi se Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 9 mujore Janar – Shtator 2020 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteve të Qeverisë..

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 99 % të planit të 9-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 9-mujorin e vitit 2020, u realizuan në masën 92% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe Paketa Financiare Anti COVID-19, e parashikuar përmes dy akteve normative të Buxhetit të vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e nëntë të vitit 2020 rezultoi në rreth 58.42 miliardë Lekë, 31.6% më i ulët nga planifikimi prej rreth 85.39 miliardë Lekë.

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 307.83 miliardë lekë ose 99 % të planit të 9-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 35.7 miliard lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia është rreth 10.3%.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 270 miliardë lekë, 31.3 miliardë më pak ose -10.4% krahasuar me vitin 2019, si dhe 3.2 miliardë ose 0.8% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas AN 28) për vitin 2020. Në këtë mosrealizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve mëposhtë, sipas sqarimit të financave.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 109 miliardë lekë, 11.4 miliardë lekë ose 9.5% më pak se 9 mujori i vitit 2019, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 1.1% më pak se plani i të ardhurave doganore për 9 mujorin e vitit 2020. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburanti total me rreth 22.7% të të ardhurave (nga ku 21.9% karburant importi), cigaret me rreth 14% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.8% të të ardhurave totale doganore. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritjen krahasuar me 9 mujorin e vitit 2019 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i sheqerit (58%), dhjamrat shtazore, mielli dhe gruri, etj. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, karburantet prodhim vendi, energjia elektrike dhe cigaret.

Të ardhurat nga TVSH në import për 9 mujorin rezultojnë 71.5 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 10% më pak se një vit më parë, si dhe 629 milionë ose 0.9% më pak se plani i periudhës Janar–Shtator 2020. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Njëkohësisht, përjashtimi nga skema e TVSH-së e inputeve bujqësore uli TVSH-në në import me 1.4 miliardë lekë përgjatë këtij 9 mujori. Po gjatë periudhës Janar-Shtator 2020, ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15% në strukturën e TVSH-së në import, duke dhënë efekt negativ prej 1 miliardë lekësh. Gjatë periudhës Janar-Shtator 2020, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë sheqeri, mielli dhe gruri, importi i dhjamrave shtazore, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.5 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, karburantet, metalet bazë, automjetet e përdorura, etj, me një efekt -4.1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 32.1 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 7.9% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe realizim 100% e planit të akcizës për këtë 9 mujor. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit në import, me një rritje +12 ton (+19.7%) me një efekt +46 milionë lekë më shumë se 9 mujori i vitit të kaluar, etj. Produktet e akcizës që kishin ndikim negativ janë karburantet e prodhuara në vend, me një rënie prej 59 mijë ton (-70%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negativ në akcizë me -2.4 miliardë lekë. Deklarimi i prodhimit të duhanit vendas u rrit nga 21 në 28 ton (+33.3%) gjatë vitit 2020. Akciza e rimbursuar është 460 milionë lekë ose sa 34% e akcizës së rimbursuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, 21.6% ose 379 milionë lekë më pak se 9 mujori i vitit të kaluar dhe realizim në masën 78% kundrejt planit, ose 0.4 miliardë lekë më pak. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1 miliard lek, 339 milionë ose 24% më  pak se renta e vitit 2019 për periudhën Janar – Shtator. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë rënë si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, me një efekt -473 milionë lekë, por kjo rënie është kompensuar nga rritja në sasinë e naftës bruto të eksportuar me +39 mijë ton, e cila ka sjellë efekt pozitiv në rentë me +134 milionë lekë. Gjatë peridhës Janar-Shtator 2020 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.43 lekë/ton në 2.38 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 44 milionë lekë, për shkak të rënies së së sasisë së mineraleve me 10.8%, me efekt 38 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rënie të lehtë të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare (-1.9%), me efekt – 6 milionë lekë. Gjatë 9 mujorit 2020 kemi një qëndrueshmëri të rentës për njësi në nivelin 0.21 lekë/ton.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 4.5 miliardë lekë, 0.34 miliardë lekë ose 7.2% më pak se 9 mujori i vitit fiskal 2019, si dhe 236 milionë lekë ose 5% më pak se plani i vitit 2020. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11%), mish importi (10.%), fruta – perime (9%), kimikate inorganike (8.9%), materialet e ndërtimit (5.9%), metalet bazë dhe artiukujt prej tyre (6.1%), etj.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT) u realizuan në masën 160.6 miliardë lekë, 19.9 miliardë ose 11% më pak se e njejta periudhë e vitit të kaluar, si dhe 816 milionë lekë, ose 0.5% më pak se plani 9 mujor i të ardhurave tatimore. Peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Taksës Nacionale.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 33.3 miliardë lekë, 2.5 miliardë ose 7.1% më pak se 9 mujori 2019, si dhe 3.7 miliardë ose 10% më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar gjatë Janar-Shtator 2020. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja bruto vjen  si pasojë e efekteve të pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën Janar-Shtator 2020 arritën 11.9 miliardë lekë, 2.6 miliardë lekë ose 18.1% më pak se viti i 9 mujori 2019, si dhe 3.7 miliardë lekë ose 23.9% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për Janar-Shtator 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 19.9 miliardë lekë, për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit. Këto të ardhura janë realizuar 7.2 miliardë lekë, ose 26.6% më pak se 9 mujori 2019, si dhe 561 milionë lekë ose 2.7% më pak se plani Janar-Shtator 2020 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 25.8 miliardë lekë, 11.6 miliardë lekë ose 31.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe 2.2 miliardë ose 8% më pak se plani për perudhën Janar-Shtator 2020. Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve nga ana e tatimpaguesve si pasojë e Covid 19.

Taksat nacionale, për peridhën Janar-Shtator 2020 u realizuan në masën 25.4 miliardë lekë, 986 milionë lekë ose 3.7% më pak se 9 mujori 2019, si dhe162 milionë lekë ose 0.6% më pak se plani i përcaktuar.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 69.4 miliardë lekë, 487 milionë lekë ose 0.7% më pak se 9 mujori 2019, si dhe realizim thuajse 102.1% të planit Janar-Shtator 2020.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 9-mujorin e vitit 2020, arritën në 366.25 miliardë lekë me një realizim në masën 92.44% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.9 % më i lartë ose rreth 20.4 miliardë lekë më shumë, prej të cilave transfertat për paketat financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve kanë qenë 12.8 miliardë Lekë.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.3% dhe 91.26% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në, 69% dhe 54% të planit vjetor.

Niveli i deficitit në muajin e nëntë të vitit 2020 rezultoi në rreth 58.42 miliardë lekë nga rreth 85.39 miliardë lekë i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 2.28 miliard lekë, për periudhën 9 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 56.13 miliard lekë më shumë./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular