Ky është momenti kur Kliti Leka, autori i vrasjes së ndërtuesit Niko Goro mëngjesin e sotëm në Himarë është shoqëruar nga policia për në Vlorë.
Arsyeja e vrasjes së ndërtuesit ka qenë një tokë që Leka i kishte dhënë biznesmenit, ku ky i fundi akoma nuk i kishte dhënë borxhin prej 70 mijë eurosh.
“I kam dhënë tokën para disa kohësh e s’më ka dhënë lekët prandaj e qëllova dhe e vrava”, ka thënë autori duke pranuar fajësinë.
Pas 1 ore arratie, Kliti Leka u kap nga forcat blu në plazhin e Livadhit, në Himarë, ndërsa po fshihej mes pyjeve. 53-vjeçari është me origjinë himariote por banon në Tiranë.
Vetëm pas 1 ore nga atentati i ndodhur, autori 53-vjeçar Kliti Leka me banim në Tiranë është kapur nga forcat blu. Leka ka pasur me vete një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat ka kryer edhe vrasjen e biznesmenit. Mendohet se ata kanë qenë në konflikt prej kohësh, ndërsa pritet që të kapen edhe bashkëpunëtorët e tjerë që kanë qenë me Lekën.
Ndërtuesi 51-vjeçar Niko Goro mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në qendër të Himarës në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille rreth orës 9 të mëngjesit të sotëm.
Ai ka qenë duke qëndruar pranë marketit të së motrës, e identifikuar si E. Q., 57 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur në këmbë, pasi i ka dalë të vëllait para për ta mbrojtur. Fatmirësisht ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga vendngjarja janë siguruar pamjet e rënda, ku dallohet gjaku i viktimës apo dhe i motrës së tij dhe një palë syze të rëna në tokë, të cilat nuk dihet se kujt janë.