Kosto e trajtimit të COVID në shtëpi/ Pacientët paguajnë 30 mijë lekë për një javë
Trajtimi në shtëpi po u kushton pacientëve shqiptarë qindra mijëra lekë vetëm në një javë, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare. Sipas disa recetave të lëshuar nga mjeku i familjes, që Top Story i disponon, kostot e trajtimit të Covid në një fazë fillestare kushtojnë minimalisht 30 mijë lekë të reja për një javë.
“Normalisht trajtimi kushton goxha. Për një fazë fillestare kushton 30 mijë lekë të vjetra në një javë. Që përfshin antibiotikun, në disa raste mund të jenë edhe dy, një mbrojtës stomaku, paracetamol, vitaminat c dhe d, elektrolitet që bëjnë stabilizimin e natriumit dhe kaliumit dhe holluesin e gjakut.
Pasi del përgjigja e tamponit, pastaj mund të ndodhë që dozat rriten. Ka raste që këshillohet edhe skaneri që është kosto ekstra, ka raste që këshillohet edhe bombula e oksigjenit…që është një ndër produktet më të kërkuara që prej shfaqjes së covid 19. Konkretisht ne kemi një bombul 8 litroshe dhe mund të jepet me qira, por më së shumti blihet dhe kushton 13 mijë lekë të rinj, por që duhet të përdoret me shumë kujdes pasi një matje më e madhe apo më e vogël krijon problem, ndaj duhet patjetër nga mjeku. Ndërkohë aparatet e oksigjenit elektrike kushtojnë 800-900 euro, por mund të jepen me qira, me një shumë prej 3 mije lekë të muaj. Oksimetri është një tjetër ndër më të kërkuarit dhe kushton 4 mijë lekë të rinj
Deri më tani nuk na ka ardhur asnjë recetë me rimbursim, megjithëse xarelto (që kushton 76 mijë lekë të vjetra) apo azotrimicina janë me rimbursim. Më së shumti marrin antibiotikët, për 7 ditë, supelementet ka individë që tremben shumë dhe i marrin, ka të tjerë që në pamundësi ekonomike vijnë i marrin pjesë pjesë, pak kokrra këtë javë ca kokrra javës tjetër. Ka të tjerë pastaj që ne ua japim me lekë borxh, pasi janë klientë që i njohim”, thotë Alba Rustemi, farmaciste.
Të lënë thuajse krejtësisht në harresë nga sistemi shëndetësor, çmimi i medikamenteve dhe ekzaminimeve nuk janë e vetmja kosto që duhet të paguajnë pacientët covid që trajtohen në shtëpi.
“Kur bëjmë shërbimet normale, një serum kushton 2500 lekë ë reja, sepse vetëm veshjet plus që përdoren dhe pastaj I hedhim, kushton 1500, ndaj aktualisht 4000 lekë dhe infermieri rri aty 1:30 orë. Injeksioni kushton 3000 lekë, bëjmë shërbim, marrim edhe analizat e tamponit. Marrja e tamponit kushton 3000 lekë, ne jemi të autorizuar dhe të certifikuar në Itali dhe i dërgojmë në struktura private të certifikuara. Ne ofrojmë edhe oksigjeno -terapinë që kushton 7 mijë lekë në dy javë”, thotë Silvana Ismaili, infermier në shtëpi.
Pra, për një muaj një i sëmurë covid, shpenzon mesatarisht 100 mijë lekë të reja për ilaçe, e nëse i shtojmë kësaj fature edhe kostot e infermierit në shtëpi, apo edhe ndonjë ekzaminim specifik, siç mund të jetë skaneri apo grafia, atëherë kostoja e trajtimit në shtëpi e covid shkon deri në 200 000 mijë lekë në muaj për një person.
Por në rastet kur infektohet e gjithë familja, atëhere kostot janë shumëfishuar. Për 4 anëtarë duhet të kesh mënjanë të paktën 8 milionë lekë për të përballuar infektimin e Covid-19.