Jonida Jonuzi, e cila ankohet në Fiks Fare, shprehet se drejtoresha e ZA Kuçovë ka pezulluar punësimet në kundërshtim me ligjin duke i lënë mësuesit ndihmës pa punë, por mbi të gjitha fëmijët me aftësi të kufizuar pa mësim.
Jonida shprehet se nga portali i ‘Punësimit për mësues’ në emailin e saj i ka mbërritur një mesazh i cili konfirmon punësimin si mësuese ndihmëse. Ajo tregon se është paraqitur pranë zyrës arsimore, por drejtoresha i kërkonte një certifikatë për të cilën Jonida dhe gjithë konkurrentët e tjerë kishin vetëm vërtetimin . Certifikata i dilte pas dy ditësh, por ndërkohë drejtoresha ka pezulluar punësimin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuar duke i lënë ata pa mësim dhe Jonidës i thonë të paraqitet vetëm kur ta njoftojnë me email .
Jonida kërkon ndihmën e Fiksit për këtë padrejtësi që po i bëhet. Nga telefonata që kryen me juristin e DRAP Korçë, Jonida mëson se jo vetëm që certifikata të cilën ja kanë kërkuar në zyrën arsimore nuk është e nevojshme për punësimin, por vendimtar është portali nga i cili i ka ardhur përgjigja konfirmuese. Gjithashtu juristi i thotë se DRAP Korçë nuk është në dijeni që nxënësit nuk kanë mësues ndihmës. Gazetarët e Fiksit shkojnë në Zyrën Arsimore Kuçovë e cila është në varësi të DRAP Korçë.
Takojnë juristin e institucionit i cili pyet gazetaren a ka dijeni për mënyrën e punësimit nga portali dhe ndërkohë që pas pak minutash bisedë jurist justifikohet se nuk e njeh mirë ligjin pasi vetëm dy muaj ka në këtë post pune. Ai gjithashtu këmbëngul se pezullimet janë bërë nga DRAP Korçë. Për këtë arsye gazetarët i kërkojnë një dokument zyrtar që vërteton komunikimin mes tyre por juristi thotë që komunikimi ka qenë verbal ose me anë të whatsap dhe e ka drejtoresha.
Juristi i zyrës arsimore po ashtu thotë se nxënësit me aftësi të kufizuar nuk kanë nevojë për mësuesin ndihmës. Në këto kushte gazetarët e Fiksit telefonojnë drejtoreshën e Zyrës Arsimore Kuçovë, e cila pohon se procesin e ka pezulluar ajo.
E pyetur se në çfarë bazash ligjore , ajo shprehet se është e zënë në një takim në Konsullatën e Vlorës, por shton se mësuesja që ankohet nuk ka dalë e para në portal por e nënta. Pyetjes se kush nuk janë të punësuar nga tetë të parët e portalit drejtoresha mbyll telefonin duke shmangur në këtë mënyrë përgjigjen.