Shqiptarët janë më pesimistë se mesatarja europiane kur bëhet fjalë për pritshmëritë e të ardhmes.
Sipas një sondazhi global të zhvilluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me rastin e 75-vjetorit të krijimit, 45% e shqiptarëve mendojnë se njerëzit do të jenë më keq në vitin 2045.
Lidhur me këtë Koordinatorja e Përhershme e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fjona McCluney u shpreh se është detyra e të gjithë aktorëve tu japin shpresë të rinjve.
“Është detyra e të gjithë aktorëve në vend të punojnë më shumë dhe t’u japin shpresë të rinjve – shërbime më të mira, mundësi më të mira arsimi, angazhim të të rinjve në proceset e politikbërjes dhe mundësi punësimi.”
Ndikuar nga situata e pandemisë 35% e të anketuarve mendojnë se duhet të rimendohet ekonomia globale, 33% të jepet prioritet për kujdesin shëndetësor.
Ndëkohë që 30% e tyre mendojnë se duhen më shumë investime në programet e arsimit dhe rinisë.
“OKB-ja duhet t’u përgjigjet këtyre sfidave dhe ndryshimeve. Ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të konsultohen gjerësisht me të gjithë lojtarët e rëndësishëm, duke përfshirë vendet anëtare, organizatat rajonale e nënrajonale, organizatat joqeveritare, sektorin privat, akademikët dhe parlamentarët.”
Të pyetur se çfarë do të dëshironit të shikonit më shumë pas 25 vitesh, 42% u përgjgijën më shumë mundësi punësimi, 36% më shumë mbrojtje mjedisore dhe 34% akses më të mirë në kudjesin shëndetësor.
Në fund të diskutimit me të rinjtë McCluney bëri të ditur se zyra e OKB-së në Shqipëri është në procesin e krijimit së shpejti të një Bordi Këshillimor të të Rinjve i cili do t’i shërbejë Ekipit të OKB-së si një forum këshillimi për çështjet e të rinjve në vend.