Analisti Fatos Lubonja foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për krijimin e partive të reja në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, mes të cilave është edhe ajo e Jozefina Topallit “Lëvizja për Ndryshim”.
Lubonja ripërsëriti qëndrimin e tij se kush krijon parti para zgjedhjeve ose është delirant, ose i blerë nga Edi Rama. Sipas tij, ai që do t’i provojë këtij populli se ka ca ideale, e krijon partinë pas zgjedhjeve.
“Debati është nëse këta që po krijojnë parti të re janë të blerë nga Rama. Nga kultura politike që njoh në 30 vite, por dhe nga ana parimore, kush bën parti para zgjedhjeve ose është delirant, ose i blerë nga Rama. E them këtë, sepse nga ç’ka kemi provuar dhe nga ç’ka provuar historia, partitë duhen krijuar pas zgjedhjeve. Edhe po të isha vetë, kështu do të veproja, në mënyrë që t’i bindja shqiptarët. Çfarë ka ndodhur këtu? Unë kam votuar dy herë partitë e krijuara para zgjedhjeve, partinë e Bojaxhiut dhe atë të Ben Blushit. Jam penduar për këto vota.
Me Blushin kam bërë debat, e kam mbështetur, por i kam thënë ‘zotëri mos mendo se me këto zgjedhje mbaron, ti fillon, ti je vetëm në fillim’. Edhe Bojaxhiun e kam mbështetur, por sa mbaruan zgjedhjet doli Rama me një projekt pallat para e pas universitetit, kërpudha që do të ngrinte te sheshi Nënë Tereza. U ngrit shoqëria civile në protestë, shkova dhe unë. Kërkova Bojaxhiun dhe nuk ishte, madje e mora dhe në telefon. Pra, që ti provosh këtij populli që ke ca ideale, mos ma krijo partinë para zgjedhjeve, sepse tregon se ose je delirant, ose të kanë blerë për të marrë ca vota”, theksoi Lubonja.