Gazetari i News24, Elidon Ndreka, tregon për “BalkanWeb” detaje mbi shpërthimin e tritolit në banesën e tij, gjatë natës së kaluar.
Gazetari Ndreka bën me dije se ngjarja i ka tronditur familjen, sidomos të bijën, e cila është zgjuar me të qara e britma, por edhe atë vetë, pasi sipas tij, nuk ka pasur ndonjë konflikt dhe nuk di kujt t’ia drejtojë gishtin.
Ndreka beson se ngjarja do të zbardhet nga policia. Ai thotë se familja e tij u frikësua, pasi shpërthimi ishte i fortë.
“U tronditëm, nuk kam vënë gjumë në sy. Vajza u zgjua me britma, duke qarë. Nuk di të drejtoj gishtin tek një persona apo disa individë të ndryshëm, se nga kush mund të jetë kryer, por shpresoj që policia të zbardhë dhe t’i shkojë deri në fund ngjarjes.
Unë prej vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, dhe e vetmja indicie mund të jetë puna që bëj. Por nuk di të drejtoj gishtin. Kjo është një ngjarje e rëndë. Unë jetoj në banesë me prindërit, bashkëshorten dhe dy vajzat. Tronditja ishte e madhe, pasi shpërthimi ishte goxha i rëndë. Shpresoj që drejtësia ta zbardhë. Kam besim të plotë që do të zbardhet në bazë të provave dhe nga kamerat e sigurisë. Janë sekuestruar pamjet filmike”, tha gazetari.