Studentët të cilët kanë paguar për tu akomoduar në konvikte duhet të rikthehen përsëri në banesat e tyre. Kjo ka sjellë një paqartësi për ta, ndërsa edhe vetë Drejtoria e Rezidencës Studentore nuk është e qartë për mënyrën se si do të procedohet. Për këtë studentët kanë paralajmëruar se të hënën do të protestojnë në orën 10:00 para Ministrisë së Arsimit.
Më valixhe në duar, studentët që kanë zgjedhur të banojnë në konvikt, këtë fund tetori nuk dinë ku të shkojnë.
Megjithëse trokasin derë më derë, informacionet nga administrata janë të pakta.
“Nuk na kanë thënë asgjë.”
“Pagesa do të shtyhet, kemi paguar për nëntorin, do të kalojë për dhjetorin. Është në dëmin tonë, përveç që do të bëjmë mësimim online që nuk është efektiv, kemi dhe angazhime të tjera këtu në Tiranë që nuk do të mund ti frekuentojmë sepse nuk kemi ku të qëndrojmë. “
Ndërsa të tjerë kërkojnë vetëm të vendosin valixhet në dhomat ku janë regjistruar.
“Po i sjell gjërat por nuk kam ku qëndroj.”
Përfaqësues të Rezidencës Studentore na drejtojnë për informacion të Bashkia.
Nëse universitetet do të nisnin normalisht, Bashkia e Tiranë ende nuk ishte bërë gati për të pritur studentët, pasi punimet në disa godina vijojnë ende.
Propozimi për mbylljen e konvikteve, sipas studentëve nuk është i drejtë, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i mësimit.
“Vendimi mund të kishte dalë para se të bënim pagesën.”
Gjithashtu, as fakulteti i Tiranës nuk ka vendosur ende se si saktësisht do të ndiqet mësimi.
Mësohet se janë në diskutim me Ministrinë e Arsimit për të përcaktuar detajet.
Deri tani mësohet se do të përdoren platformat online, të cilat janë pëdorur vitin e kaluar, por edhe platforma akademia.al.
Ndërkohë studentët kanë njoftuar se ditën e hënë do të zhvillojnë një protestë para Ministrisë së Arsimit për të kundërshtuar mësimin online.