Një i moshuar pretendon se jeta prej beqari që bën i biri, i ka sjellë telashe me të afërmit e tjerë më të ngushtë e disa herë edhe me orenditë e shtëpisë që flaken dhe thyhen nga nervat.
Policia nga ana e saj dyshon se rasti i denoncuar nuk është tamam dhunë fizike, por më tepër dhunë psikologjike, ndaj dhe D.N. nuk u arrestua, por do të procedohet në gjendje të lirë.
Sipas burimeve zyrtare të gazetës Si pranë komisariatit numër 4, i moshuari 74 vjeç u ankua për të birin i moshës 44 vjeç, që ngre zërin jo vetëm kundër prindërve të tij, por edhe ndaj vëllait tjetër.
T. N tregoi se si djali beqar kërkon para herë pas here, e madje ai i shpenzon të ardhurat e familjes për të pirë dhe për të bërë jetë nate. Kjo gjendje u ka shkaktuar mërzi të dy prindërve të 44-vjeçarit, i cili sipas të atit duhet të ndryshojë rrugë, të lërë alkoolin, të gjejë një punë dhe të martohet. Dhe këto dëshira të 74-vjeçarit u thanë para agjentit të krimeve, i cili mbajti shënim pretendimet dhe pritet ta referojë çështjen për dhunë psikologjike, përderisa të dy prindërit e beqarit janë stresuar dhe kanë ankth të vazhdueshëm.
I moshuari rrëfen në polici “Arsyeja që jam këtu është djali beqar. Ai është bërë i dhunshëm kohët e fundit, vetëm bërtet në shtëpi. Është i papunë dhe beqar. Na shan dhe ofendon, kërkon para prej meje, prej gruas, prej të vëllait”.
Sipas policisë, i moshuari tregon se incidenti i fundit shpërtheu në familjen e tyre, pasi brenda ditës beqari kërkoi tri herë para, ndërkohë që ata nuk kishin më mundësi t’ia përballonin kërkesat.
“Në mëngjes i dhashë 5 mijë lekë nga pensioni, u kthye në drekë kërkoi prapë, i dhashë dhe 5 mijë lekë, erdhi mbasdite kërkoi prapë, por nuk kisha më. Ai u nxeh filloi të më shajë, ngriti zërin m’u lut se i duheshin patjetër, por nuk kisha më”.
I riu D. N ka ngritur zërin i nxehur dhe ka goditur dollapin dhe sipas të moshuarit kjo gjendje nervash po bëhej e dukshme kohët e fundit. Por nga ana e tij beqari ka dëshmuar se ankesa e të atit në polici lidhet vetëm me një debat të vogël. “Jam në vështirësi pasi jam pa punë dhe nuk mundem të dal nga shtëpia pa para në xhep. Ka ndodhur në një rast që kam thyer diçka, por kurrë nuk i kam prekur prindërit me dorë dhe as vëllain. Nervat më burojnë nga fakti që kam mbetur pa punë, skam asnjë shkak tjetër”, kundërshtoi i riu, sipas të cilit ai dhe familja e tij nuk kanë probleme, por toni ngrihet herë pas here për çështje të ndryshme familjare. I pyetur nga policia për pretendimin tjetër të të moshuarit se debatet vinin edhe nga beqaria e tij, D. N ka shtuar se kjo nuk është një çështj që mund ta zgjidhë policia dhe se dëshira e prindërve të tij do përmbushet së shpejti.