Eden Babani, Bruksel
Më në fund erdhi në jetë edhe partia më e re, Lëvizja për Ndryshim.
Partia foshnjë ngjan e ushqyer mirë që në bark të nënës, po të gjykosh nga salla e hotelit ku lindi me aq pompë. Ka lindur me këmishë thoshin plakat e qëmotit për fëmijë të dhjamosur dhe yshtnin që të mos e merrnin mësysh. E, megjithatë, në fjalën e mbajtur para një tufe nismëtarësh, zonja Topalli u ankua për mungesë parash dhe nuk premtoi favore për anëtarët e partisë.
Vështirë ta besosh deklarata të tilla. Është si me u fsheh pas gishtit.
Lëvizja për Ndryshim vjen me pretendimin që të krijojë dhe të udhëheqë “një pol të ri të së djathtës shqiptare”, nëse i referohemi idesë së hedhur ditë më parë nga Valbona Mezini, njëra ndër kanakaret qejfmbetura të PD-së. Mirëpo, që t’ia hysh një nisme kësisoj në prag të zgjedhjeve, do të thotë “ose të jesh delirant, ose i blerë nga Rama”, siç vëren me të drejtë Fatos Lubonja.
Për vete anoj nga opsioni dytë, i blerjes, pa përjashtuar delirin për protagonizëm. Përpos kësaj, do të shtoja edhe trysninë me të vërteta e të pavërteta ose me thashetheme të nxjerra nga gjirizet e së kaluarës, ku lëvrijnë ende strukturat e Sigurimit famëkeq të diktaturës komuniste. Aq më tepër që në rrjetet sociale janë hedhur herë pas here dyshime, janë përmendur edhe pseudonime për njërin a për tjetrin qytetar, politikan ose jo. Për fat të keq, ato kanë kaluar në heshtje.
Edhe më shumë shtohen opsionet e dyshimet, po të mbahet parasysh se zonja Topalli bërtiste e çirrej me arrogancë nga poltroni i kreut të parlamentit dhe e nënkryetares së PD-së “kapnie për zhelesh, e nxirrnie jashtë!”, kurse sot, rreket t’i zhvatë një grusht votash partisë që e ngriti nga hiçi në nivelet më të larta të politikës dhe të administratës partiake e shtetërore. Kujt tjetër i shërben rikthimi i zonjës Topalli në politikën aktive përveç atyre që dikur i kërcënonte me gisht dhe që, sikur të çmendeshin rojet e Kuvendit e t’u bindeshin qorrazi çjerrjeve të saj, mund të kapnin vërtet ndokë për zhelesh e ta hiqnin zvarrë?
* * *
Nga pozicioni i të pavarurit, – ani se zor të gjesh të tillë në shtypin tonë, – analisti Kikia, ka shtruar pyetjen se çfarë të reje mund të sjellë ish-Kryetarja e Kuvendit me rikthimin e saj në politikë. Pasi ka shfaqur simpatinë ndaj zonjës Topalli si politikane (dhe mirë ka bërë, së paku për etikë profesionale), analisti në fjalë rendiste më tej një sërë pyetjesh të tjera që e rrëzonin logjikisht nismën e saj të re.
Citoj: “Jam i shqetësuar, sepse sa herë krijohen kushtet dhe bëhet ulëritëse nevoja për aktorë të vërtetë që të mund të sjellin ndryshime reale, të prodhojnë alternative të reja, ide të reja për ekonominë dhe vendin, politikën shqiptare e zënë dhimbjet e lindjes dhe pjell kësi krijesash…”
Krijesa të përçudnuara, do të shtoja unë.
Dhe më tej, duke cituar analistin: “Ku ndryshon Jozefina e “re” nga ajo e “vjetra”, çfarë do të bëjë më shumë e më mirë sot, kur ka pasur gjithë kohën e duhur për ta bërë këtë?”
* * *
Militant i PD-së që ditët e para të themelimit, kur zonja Topalli nuk dihet në ç’ ujëra notonte, mua më buron ligjshëm protesta ndaj tendencës të kujtdo që synon të përçajë elektoratin tonë. Në kësi rastesh, etika për mua nuk ka as një vlerë, ndaj ma ka ënda t’i rikthehem shkrimit tim të para një jave, ku Lëvizjen për Ndryshim e pata quajtur parti kungulleshkë, sikundër edhe Bindjen Demokratike të Patozit, apo partitë e tjera të së ashtuquajturës opozitë parlamentare.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, kungulli, – i së njëjtës familjeje biologjike me kungulleshkën, – është “bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të gjatë zvarritës, me fletë të gjera sa një pëllëmbë e me lule të verdha, që lidh kokrra të mëdha, në trajtë vezake ose gjatoshe…”.
Për shkak të kërcellit që më kujton zvarranikët, partinë e re do ta krahasoja pa hezitim me një kungull të mbingopur me hormone. Në dukje ngjan i madh e i bukur, ama, i shndërruar gjenetikisht, nuk hahet, por hidhet në plehra, si domatet që shiten me shumicë në tregun shqiptar.
Në mediat shtrohet pyetja: A është për ta pasur frikë Lëvizjen për Ndryshim? Po edhe jo, do të përgjigjesha unë. Po, sepse do të zhvatë vota të elektoratit të djathtë. Jo, sepse, shpresoj në një ndryshim strategjie të opozitës jashtëparlamentare, sa s’është ende vonë. Sinjalet vijnë nga të gjitha anët, që nga Presidenca dhe BE-ja, deri te shoqëria civile, sidomos nga i ashtuquajturi elektorat gri, i cili u përket të dyja anëve të politikës. Por, ndërsa disa nga e majta janë të pakënaqur me ata që kanë votëbesuar, dhe votat e tyre mund t’i shkojnë pjesërisht LSI-së, të djathtët janë të përbashkuar, veç kërkojnë veprime më agresive për të maksimalizuar numrin e votave.
Dita e zgjedhjeve po afron. Vjen apo nuk vjen në dhjetor përgjigjja e Komisionit të Venecias; do të ndërmarrë apo nuk do të ndërmarrë Presidenti veprime në përputhje me kushtetutshmërinë, për çka qeverisja rilindëse s’do t’ia dijë, koha nuk pret.