Hapja zyrtare e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, bëhet pothuajse e pamundur, kjo pasi 5 shtete anëtare konsiderojnë se Shqipëria nuk ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Këto janë të rejat më të fundit që solli gazetarja Erisa Zykaj nga Brukseli gjatë një lidhjeje direkte me studion e lajmeve në Abc.
Siç raporton gazetarja, këto shtete konsiderojnë, se kushti për reformën elektorale nuk është përmbushur.
Pesë shtetet, që dihet tashmë se janë Holanda, Danimarka, Gjermania, Spanja dhe Franca, shkojnë përtej vlerësimit të Komisionit Europian për mosplotësimin e dy parakushteve lidhur me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjin për Median.
Këto shtete konsiderojnë se kanë një vlerësim më realist se Komisioni Europian për reformat kyçe në Shqipëri dhe, se për mbajtjen e konferencës e parë ndërqeveritare duhet të plotësohen të gjitha parakushtet.
Pikat që kërkojnë më tej të zbatohen, 5 shtetet në fjalë:
-Respektimi i opinionit të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor.
– Garantimi i transparencës së financimit të partive politike, për të cilën ka vetëm një udhërrëfyes, por jo një plan zbatimi.
-Gjermania, Franca, Danimarka, Holanda dhe Spanja janë dakord me Komisionin Evropian, se kushti për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është përmbushur. Por ato bëjnë dallimin për Gjykatën e Lartë, duke cilësuar se Gjykata e lartë me 3 nga 19 gjyqtarë nuk mund të konsiderohet si funksionale.
-Edhe pse mirëpritet ngritja e SPAK, vihet theksi tek mungesa e një gjurme provash për hetime, ndjekjeve penale dhe dënime të zyrtarëve të lartë.
-Vlerësohet se për BKH nuk ka asnjë tjetër emërim përveç drejtorit dhe se është e rëndësishme që të zhvillohen rekrutimet e mëtejme, në mënyrë që kjo strukturë të jetë plotësisht funksionale.
-Mbështetet vlerësimin i Komisionit Evropian lidhur me ligjin për median ndërsa kërkohet përparimi në fushën e lirisë së shprehjes nëpërmjet ndjekjes së rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
-Kërkohet vijimi i zbatimit të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe bashkëpunimin me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare.
-Vihet në pah po ashtu se numri i përgjithshëm i kërkesave të azilit, edhe pse është ulur mbetet i lartë dhe nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga autoritetet shqiptare. /Abcnews