Nga Ardit Gjinali
Përditshmëria politike ofron të njëjtën zymtësi dhe papërgjegjshmëri qeverisëse që vijon paradën e sukseseve imagjinare në versionin e shëmtuar 3-D; shëmti që nuk fshihet pavarësisht efekteve shumëngjyrëshe kompjuterike që kanë zëvendësuar fasadat e periudhës së mëhershme politike kur veset lokale nuk ishin kthyer ende në mëkate kombëtare;- të paktën, fasadat ekzistonin kurse realiteti 3-D është gënjeshtra mbështetëse që plotëson regjinë qeveritare që gatitet në analet e propagandës të së njëjtës.
Propaganda zhurmon dhe angazhohet plot zulm në paraqitjen e një realiteti shoqëror të ndryshëm dhe të sajuar, në versionin një-përdorimësh që hidhet tutje kur i mbaron funksioni dhe thirret sërish në apel për ricklimin e një version të ri, i tilli që ka thjeshtë dhe vetëm një avaz të vjetër;- gënjeshtrën që është njëjtë e vjetër si avazi. Shqipëria e së sotmes është pasqyra ku keqqeverisja duhet të shikojë fytyrën e saj politike; të shikojë produktin anomalik politik dhe qeverisës i krijuar nga braktisja e misionit që e njëjta premtoi të realizonte; të shikojë fytyrën e drobitur të qytetarit plot halle që troket në papërgjegjshmërinë e zyrave të shtetit, por nuk e dëgjon askush; të shikojë mbylljen masive të bizneseve private dhe humbjen masive të vendeve të punës si shkak i mbylljes së të njëjtëve; të shikojë braktisjen dhe shpopullimin kombëtar si shkak i largimit të të rinjve nga vendi si shkak i keqqeverisjes kronike; të shikojë infrastrukturën e vajtueshme të sektorit shëndetësor ku shëndetësia falas ishte ëndërra e një fushate vere më 2013 që përfundoi me fillimin e zgjimit qeverisës të shtatorit të të njëjtit vit; të shikojë “Paktin e humbur të Universitetit” që mund të gjehet në arkivën e retorikës keqqeverisëse, por mungon në tavolinat e punës së të njëjtëve; sirtarët e dyllosur ku dokumenti është pluhurosur, janë flakur tutje bashkë me premtimet që përmbante dokumenti i të njëjtit, gjithashtu; të shikojë “Policinë që duam” që po humb dita- ditës misionin e ruajtjëses së rendit publik dhe po shndërrohet në “Gjobëvënësen që i duhet” një pushteti që kërkon të trembë qytetarët e zakonshëm të vendit;- pasqyra mungon, e tilla nuk është thjeshtë një send i munguar; ajo është thyer bashkë me premtimet e pambajtura dhe pritshmëritë e zhgënjyera të flukseve shoqërore që besonin një qeverisje ndryshe; pasqyra është thyer për të harruar premtimet e së djeshmes dhe për të shmangur llogaridhënien për dështimet e së sotmes. Pasqyra mungon sepse është thyer, por të njëjtën nuk mund as ta fshehësh dhe as ti fshihesh dot…..mund ti largohesh, por ndjek, akuzon dhe kujton me forcën e heshtjes…..e njëjta që është më e fortë se fjala.
Ligjërimi i zakonshëm politik i KryeKreut në të enjten e rradhës parlamentare është treguesi i pasqyrës së thyer, fabulës së humbur qeverisëse dhe vaj retorikës që në zbrazëti të bilancit dhe arritjeve qeverisëse rreket të gjejë shkakun e rradhës për të larguar vëmendjen nga aktualja e problemeve të panumërta që nuk zgjidhen dot prej vullnetit politik të munguar. Justifikimet e njëpasnjëshme , versionet e ndryshme retorike për të njëjtën çështje në periudha të ndryshme politike , evokimi i së shkuarës politike dhe historike, banalizimi i debatit politik në Parlament janë gishtat pas të cilëve nuk fshihet dot fytyra e dështimit të një qeverisjeje e identifikuar me fytyrën politike të një njeriu politik.