Kancelarja gjermane Angela Merkel ka treguar se cilat grupime të shoqërisë gjermane do të vaksinohen të parët sapo qeveria e Berlinit të sigurojë vaksinat anti-Covid.
Sipas Merkel, punonjësit e sistemit shëndetësor dhe grupet më të rrezikuara do të jenë të vaksinuarit e parë.
“Kjo pyetje do të diskutohet së pari me Komitetin e Vaksinimit, Akademinë e Shkencave Leopoldina dhe Komitetin e Etikës, por unë mendoj se tashmë mund të zbuloj se sigurisht infermierët, mjekët dhe njerëzit nga grupet e prekshme do të jenë të parët,” tha ajo.
Merkel, duke iu përgjigjur pyetjeve pranoi se njerëzit që i përkasin grupeve specifike “nuk janë të paktë në vend”, ndërsa ajo shpreson se vaksinat e para do të aprovohen shumë shpejt.
“Sigurisht që në fillim nuk do të ketë mjaft vaksina“, shpjegoi ajo, ndërsa shtoi “askush nuk do të detyrohet të vaksinohet, është një vendim vullnetar”.
Kancelarja gjithashtu vuri në dukje se nuk dihet ende në çfarë sasie do të jetë në dispozicion vaksina dhe sa do të zgjasë imuniteti që do të sigurojë.
Sipas saj qëllimi kryesor është arritja e imunitetit të të gjithë popullatës dhe kjo ndodh edhe nëse janë vaksinuar, por edhe nëse infektohen nga virusi 60-70% e qytetarëve.
Që nga nisja e pandemisë, Gjermania, një shtet me mbi 80 milionë, ka regjistruar 668,882 të infektuar dhe 11,483 viktima.