Tensionet tregtare mes Kinës dhe ShBA-së nuk kanë ulur entuziazmin për tregun kinez të kompanive amerikane, qindra nga të cilat marrin pjesë në Ekspozitën e 3-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) për të kërkuar klientë dhe marrëveshje fitimprurëse.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shangai Ker Gibbs shprehet se tregu i madh kinez ofron mundësi të mira:
“Tregu kinez është vërtet një ndër tregjet e vetme të mëdha me rritje tani, veçanërisht në periudhën pas shpërthimit të epidemisë së COVID-së. Prandaj, kjo (ekspozita) është një veprimtari shumë e rëndësishme për anëtarët e shoqatës sonë.”
Gibbs tha se për bizneset amerikane tregu i Kinës ka qenë gjithmonë tërheqës, duke shtuar se Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk ka dëshmuar ndonjë largim masiv nga Kina.
Ai theksoi po ashtu se shërbimet financiare janë objektivi kryesor i kompanive amerikane në tregun kinez.
“Kina ka marrë masa për të hequr kufirin e aksioneve në sektorin e sigurimeve e të bankave tregtare, si edhe në letrat me vlerë. Kjo është një lëvizje pozitive, prandaj ne presim që të zëmë një pjesë më të madhe të tregut në këtë fushë,” tha ai.
Afro 170 kompani dhe organizata amerikane kanë ekspozuar në CIIE-në e sivjetshme.