Tentoi t’i shpëtonte policisë, për të mos e zbuluar se po transportonte drejt Kukësit emigrantë të paligjshëm, por përfshihet në aksident duke rrezikuar jetën e tij dhe të 5 personave të tjerë.
Në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet në Policinë e Tiranës, arrestuan një person e shpallën në kërkim një tjetër.
Bazuar në informacionet e marra se një 34-vjeçar transportonte me mjet, emigrantë të paligjshëm nga Tirana në drejtim të Fushë Krujës, me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian, policia zhvilloi operacionin policor të koduar “Vazhdimësia”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
E. A., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë ndjekjes nga Policia, në afërsi të Fushë Krujës, ky shtetas është përfshirë në një aksident, duke u dëmtuar vetë dhe 5 emigrantë të paligjshëm që gjendeshin me këtë shtetas, të cilët pas marrjes të mjekimit, kanë dalë nga spitali.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u bë shpallja në kërkim të shtetasit O. C., 26 vjeç, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit E. A. në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.