Publikohen historinë e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, ku pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qëndra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri, ku për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.
Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë, ku ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjeksisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977 pas disa kohësh survejimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”, ku pas disa muajsh tortura ç’njerzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., xhesti i jashtëzakonshëm i Jetullah Gashit kur vuante dënimin, duke dorëzuar bluzën e bardhë të mjekut e hyri të pununte me turne në galerinë e Spaçit, nga ku dhe ai u lirua në fillimin e vitit 1991, me shëmbjen e regjimit komunist.
“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku ponoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobuzit në Shkup, ku preva biletën e autobuzit për në Gjakovë dhe aty mbrrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobuzi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Kam bërë gjithë përpjekjet për të shmangur njerëzit dhe mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, e bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopësht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurtë që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qenësh, por pas pak kohësh ata pushuan. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vëndin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri, ku ai pasi u diplomua në fakultetin e Mjeksisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg, kalvari i gjatë në kampe dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në fillimin e vitit 1991, duke u liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbëshme, mjeku Jetullah Gashi, i dëshmon ekskluzvisht për Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
Zoti Jetullah, pas kësaj, me prindërit udhëtuat drejt Korçës apo Elbasanit?
Në atë kohë unë jetoja e punoja në Elbasan, kështu pasi hypëm me prindërit në taksi, u nisëm drejt shtëpisë time, në një apartament në Elbasan, duke marrë me vete edhe Rizain e Isufin.
Prindërit që erdhën për gëzimin e fejesës tuaj, a u takuan me Suzanën?
Hajdarin, babain e Suzanës, e kisha lajmëruar për ardhjen e prindërve dhe ai më tha: “Rrini dy ditë për t’u ç’mallur dhe pastaj do t’ju lajmëroj unë, e të vini në Korçë”. Ndërkohë unë kisha marrë lejen e zakonshme, për të kaluar sa më shumë kohë me prindërit. Pasi kaluan tri ditë, Hajdari nuk po na merrte në telefon që të niseshim për në Korçë, e në këtë situate, bisedova veçmas me Rizain, duke i thënë, se çfar problemi do të ketë?
Çfar ju tha Rizai, a kishte dijeni ai se,. përse nuk po telefononte Hajdari?
Rizai me babën dhe Isufin, kishin dalë e po shëtisnin, ai shkëputet në një moment dhe telefonon nga posta, Hajdarin. Hajdari i kishte thënë se: do të vinin ata në Elbasan, se e kishin të pamundur të na prisnin ne në Korçë, pasi djali tyre i vogël, Saimiri, ishte me provime shkolle në Tiranë dhe ai kishte dëshirë të ishte i pranishëm në takimin me prindërit e mi. Kështu, s’kemi pse të nisemi ne në Korçë’ më tha Rizai.
Domethënë erdhën ata në Elbasan?
Kështu ndodhi, Hajdari me të shoqen dhe Suzanën erdhën për të takuar prindërit e mi në Elbasan. Ata ndenjën në Elbasan dy ditë, pasi unë i kisha rezervuar një dhomë në hotel dhe ata u kënaqën në takimin me familjarët e mi. Kështu ato pak ditë që ata qëndruan në Elbasan, drekonim dhe darkonim së bashku, e unë me Suzanën, patëm mundësi të dilnim të shëtisnim. Suazan u kënaq me dhuratat që kishin sjellë nga Kosova, prindërit e mi. Pas dy ditësh, ata u larguan për në Korçë, duke udhëtuar me tren deri në Pogradec. Kur unë po i përcillja te stacioni i trenit, ata më thanë që shumë shpejt, ne ishim të ftuar në shtëpinë e tyre në Korçë dhe ditën e saktë do të na e thonin, pasi prisnin kur do t’i lajmëronte djali i tyre i vogël Saimiri, i cili priste të jepte provimet.
Ç’ndodhi më pas, ju lajmëruan për të shkuar ju në Korçë? Kaluan ditët dhe javët e muajit maj, dhe nga Hajdari nuk erdhi asnjë lajm, që ne të niseshim për Korçë, sipas fjalës që na kishin thënë kur i përcolla te stacioni i trenit në Elbasan. Kështu, nisur nga kjo vonesë, bisedova në veçanti përsëri me Rizain, duke i thënë nëse mund të telefononte Hajdarin, pasi prindërve të mi, po i afronte dita për t’u larguar nga Shqipëria dhe unë ndihesha i sikletosur, që nuk po na jepej mundësia për të shkuar në Korçë, te shtëpia e Suzanës. Rizai i telefonoi Hajdarit dhe ai i tha: “Më vjen keq, por Saimiri (i biri) nuk po mundet të marrë leje, kështu uroji rrugë të mbarrë nga ne, prindërve të Jetullait”.
Normalisht që u mërzitët për faktin se prindërit e tu nuk patën mundësi të shkonin në shtëpinë e Suzanës në Korçë?
Me datën 25 maj, ditën që prindërit do të iknin, unë porosita taksinë dhe sëbashku me Rizain e Isufin, e prindërit e mi, u nisëm drejt pikës kufitare të Qafë-Thanës, ku përcollëm me shumë dhimbje nanën dhe babën tim. Unë punoja mjek në spital të Elbasanit, ku më shumë rrija edhe si mjek roje. Meqënse punoja si mjek roje, një pjesë më konpesohej në pagesë dhe një pjesë në ditë pushimi. Me Suzanën unë kumunikoja rregullisht, pasi ata kishin telefon në shtëpi dhe marrdhënia jonë ishte mjaftë e mirë, e ajo mezi priste që të më takonte. Ndërkohë, me pushimet që kisha grumbulluar, unë u nisa për Korçë, pas asaj u takuam edhe nja dy herë të tjera, një herë në muajin gusht, kur shkova unë në Korçë e ndënja tre dite, një herë tjetër nga muaji tetor, erdhi Suzana me prindërit në Elbasan, ku përsëri i rezervova dhomë në hotel. Ndërkaq, ne të dy, pra unë e Suzana, bënim planet për të ardhmen tone dhe mnezi prisja të merrja shtëpi (banesë me punë vullnetare), por kjo po zgjaste në punime. Kur papritmas, një natë para se ata të ktheheshin në Korçë, Hajdari (babai i Suzanës), vura re se rrinte si i tërhequr në bisedat me mua, kurse e ëma, më tha: “Kur do të përfundoj banesa, që të merrnim shtëpinë” dhe e revoltuar ajo vazhdoi: “Kam dëgjuar shumë fjalë që fliten për kosovarët që vinë në Shqipëri, pasi thuhet se ata janë njerëz të dyshimtë”
Si u përgjigjët ju pas atyre fjalëve akuzë të saj?
Unë u shtanga nga këto mendime dhe Suzana gjithashtu, por nuk i’u përgjigja fare, për të mos e acaruar situatën. Të nesërmen ata ikën, pa u takuar me mua, edhe pse unë vajta në hotel që t’i përcillja.
Funksionoi lidhja juaj pas kësaj?
Hajdari e mbylli në shtëpi Suzanën, duke mos e lënë asnjë mundësi komunikimi qoftë edhe me njerëzit e saj të afërm, gjë e cila ishte kundër vullnetit të Suzanës. Hajdari, i manipuluar nga miqtë dhe shokët e tij si, Ismail Porodina, bëri të gjitha përpjeket dhe arrit të prishë këtë fejesë, të ndërpres ëndrrat tona dhe dashurinë tone!
Me Rizain e Isufin e diskutuat këtë problem?
Patjetër, u morra mendim atyre, duke i pyetur se çfar mund të bëja, por ata e njihnin mirë Hajdarin dhe lidhjet që kishte ai me Lirim Pëllumbin, njeriu i cili ishte me funksione të larta drejtuese në Sigurimin e Shtetit.
Çfar ju sugjeruan ata?
Rizai më sygjeroi, t’i dërgoja një letër Kadri Hazbiut, Ministrit të Punëve të Brendëshme, ku të tregoja situatën ku ndodhesha, pasi njeriu që po më prishte fejësën time, ishte vartës i tij.
I dërguat letër Kadri Hazbiut?
Pas shumë dilemash, vendosa t’i shkruja ministrit, Kadri Hazbiut, me hollësira, duke mos lënë asnjë dyshim pa shprehur. I shkruajta një letër 13 faqe, e mbylla në zarf dhe u nisa për në Tiranë, me mendimin që të bëja të gjitha përpjekjet, t’ja jepja letrën në dorë, Kadri Hazbiut. Pasi shkova në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, ju drejtova oficerit të rojes, ku i thashë që jam Jetulla Gashi, banoj në Elbasan, jam mjek me origjinë nga Kosova dhe dua të takoj ministrin.
Ju krijua mundësia për të takuar Kadri Hazbiun?
Oficeri i rojes, pasi më dëgjoi me vëmëndje, u fut Brenda dhe doli pas 10 minutash, e më tha se ministri nuk ndodhej atë ditë aty. Por mund të takoja Shaban Brahan, i cili më priti në zyrë, ku pasi u përshëndetëm dhe bëmë pyetjet e zakonshme, unë ju drejtova atij, duke i thënë, nëse mund të më ndihmonte të takoja ministrin Kadri Hazbiu, duke i’a shpjeguar me hollësira për disa ndërhyrje që ishin bërë me pa të drejtë në jetën time familjare, nga një funksionar i lartë në atë ministri.
Si i’u përgjigj Shabani?
Shaban Braha, më tha: “Ma dorzo mua letrën, se sot ministri nuk është, por mos ki asnjë merak, nesër ja jap unë dhe për çdo paqartësi do të të lajmëroj”. Unë i dhashë letrën dhe u largova, duke pasur besim të plotë te Shaban Braha.
Morrët ndonjë përgjigje nga Kadri Hazbiu?
Gjatë vitit 1976, e deri në 23 prill të vitit 1977, unë vazhdova të punoja si mjek në spitalin e Elbasanit e në Poliklinikën Qëndrore, por gjatë asaj kohe nuk morra asnjë përgjigjie. Nga fundi i shkurtit, a fillimi i marsit të vitit 1977, kam parë rastësisht në Elbasan, Shaban Brahën, njeriun që i dorëzova letrën, me të cilin u shkëmbyem, u pamë në sy dhe u përshëndetëm me kokë. Mendoja se do të ndalonte të më takonte, e të më thoshte ndonjë zhvillim për letrën që i kisha dorëzuar, por jo, kjo nuk ndodhi!
Si vazhdoi rrjedha e ngjarjeve të jetës suaj?
Në fundin e marsit të vitit 1977, më thirri Drejtori i Spitalit dhe më lajmëroi se në muajin prill, duhet të kryeja punën fizike një mujore, që ishte e detyrueshme në atë kohë për të gjithë kuadrot, ku hynim dhe ne mjekët.
Ku e bëtë punën fizike?
Kisha dy zgjedhje pë të bërë punën fizike, një në fshatin Shtëmbar, dhe tjetra në Bradashësh, tek serat. Mendova më mirë në Bradashesh, meqënëse kishe linjë urbani. Kështu më 1 prill 1977, u paraqita te serat e Bradasheshit, për të filluar punën fizike, e cila nuk ishte e vështirë. Punën e fillonim në orën 7 të mëngjesit dhe e mbaronim në orën 13.00 të drekës. Dhe më pas ktheheshim në Elbasan me autobuz. Me datën 23 prill të vitit 1977, pasi zbrita nga autobuzi, rrugës drejt banesës, takova Halim Sadikun, një të njohurin tim dhe gjatë rrugës që përshkruam, ai më ftoi që të luanim shah, në shtëpinë e tij, e kështu u bë. Në fillimin e lojës së dytë, ra zilja e shtëpisë, Halimi hapi derën dhe u kthye e më tha mua: “Po të kërkojnë ty në Poliklinikë, për të zëvëndësuar një koleg që mungon sot në punë”. Unë dola menjëherë dhe i thashë shoferit të Urgjencës që ishte me autombulancë aty para pallatit, që duhet të më kishin lajmëruar, pasi unë isha me punë fizike.
A shkuat në Poliklinikë, për të zëvëndësuar kolegun?
Unë u largova nga shtëpia e Halimit dhe vajta në banesën time, ku aty, Rizai më tha: “Erdhën të kërkuan nga Poliklinika”? ‘Po, erdhën në shtëpinë e Halimit dhe u thashë që nuk mund të shkoja, pasi duhet të më lajmëronin më përpara, se unë isha me punë fizike’. Në atë moment, erdhi autoambulanca përsëri përpara banesës sonë. Të tre po shikonim nga dritarja autoambulancën dhe Rizai m;u drejtua e më tha: “Shko Jetulla një here, e shiko se si e kanë situatën”! Morra stetoskopin dhe hyra në autoambulancë, ku shumë shpejt u gjënda në Poliklinikë, e nxitova drejt Urgjencës, por përpara më doli një infermiere, e cila më tha: “Nuk ka problem doktor, se e gjetëm zëvëndësuesin”.
U kthyet në banesë më pas?
Jo nuk u ktheva, pasi infermierja më lajmëroi se, i gjithë personeli kishte mbledhje dhe nëse dëshiroja, mund të merrja pjesë.
Morrët pjesë në këtë mbledhje?
Po, patjetër, direkt u futa në sallën e mbledhjeve dhe pasi gjeta një vënd në mesin e sallës, ku ishin dy karrike bosh, në njërën prej tyre u ula. Në podium, përballë nesh, ishin të ulur tre persona. Në karriken bosh pranë meje, u ul një person që nuk ishte i personelit, por si fytyrë e kisha parë në Elbasan. Kryeinfermjeria, e cila hapi mbledhjen, foli për sukseset e rezultatet e arritura në Shëndetësi dhe punën e mirë që kishte bërë kolektivi ynë, duke i shërbyer popullit. Në këtë moment, në sallë hyri Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, Gëzim Hila, dhe personat që ishin në podium, u ngritën në këmbë menjëherë, sapo ai hyri në sallë. Ai dha leje kryeinfermieres që të vazhdonte fjalën aty ku e kishte lënë dhe ajo gjithë zell, u shpreh: “Ndërsa i gjithë personeli i lartë e i ulët I spitalit tonë, i kanë shërbyer popullit me përkushtim, ka edhe nga ata që nuk e kanë bërë këtë shërbim. Ja përshembull, Jetullag Gashi, është një nga këta”. Unë, sapo dëgjova ato fjalë, u ngrita në këmbë dhe i thashë: “Këtu jam”. Ndërkaq, dy tre njerëz, që nuk i njihja, por m’u afruan dhe më thanë: “Në emër të popullit e të Pushtetit Popullor, jeni i arrestuar”.
Si reaguat ju?
Unë u shpreha: “Jo në emër të popullit, por…”, dhe nuk arrita të përfundoja fjalinë, sepse tre persona m’u hodhën sipër, duke më lidhur duart e duke më goditur.
Ku ju çuan pasi u arrestuan?
Dega e Punëve të Brendëshme në Elbasan, është shumë afër me Poliklinikën, rreth 100 m. dhe atë rrugë e bëmë në këmbë, në mënyrë demonstrative, për të më demaskuar, edhe para popullit që mund të më shikonte, pasi si mjek më njihnin pjesa më e madhe e qytetit. Pas shumë vitesh burg, por edhe tani që jam i lirë, nuk e harroj kurrë momentin e arrestimit!
Po pse ndodhi arrestimi juaj?
E them publikisht për herë të parë, se për fatin tim, pra për arrestimin tim, kishin vendosur: Shaban Braha, Lirim Pëllumbi, Zv/Drejtor i Sigurimit të Shtetit (mik me ish-vjehrrin tim), në bashkëpunim me Degën e Punëve të Brendëshme të Elbasanit.
Për çfarë u akuzuan?
Mua më akuzuan, se: “Unë me Flutura Bajramin, me të cilë punoja, jemi nisur për t’u arratisur në datën 13 prill 1977”. Në të vërtetë, kjo ishte një sajesë, sepse në atë periudhë, unë vazhdoja të punoja në serat e Bradasheshit. Siç ju thashë më lart, nga date 1 prill deri me 23 prill 1977 (ditën që më arrestuan), unë isha në punë fizike të detyrueshme dhe kjo ishte fare e thjeshtë për t’u vërtetuar, sepse kishte dëshmitarë të shumtë, por kjo nuk ndodhi dhe me të gjitha manipulimet e mundëshme që bëri hetuesia, më akuzuan për tentativë arratisje me Flutura Bajramin.
A kujtoni ndonjë nga emrat e atyre që ju arrestuan?
Nuk i njihja ata tre persona që më arrestuan, të cilët më pas më çuan në një dhomë, në Degën e Punëve të Brendëshme të Elbasanit. Dy prej tyre u larguan, personi që mbeti aty, ishte ai, që u ul në mbledhje, në karrigen ngjitur me mua. Ai pasi m’i shtrëngoi sa mundi hekurat në duar më tha: “Mos harro, ne të njohim shumë mirë, e dimë dhe në çfar rrethanash u bëre armik i Partisë e i popullit”. Unë kundërshtova, por ai më goditi me grusht në gjoks, duke ulëritur e duke më ofenduar dhe duke më tundur duart të futura në hekura, të cilat më shkaktonin dhimbje të mëdha. Kështu ai vazhdoi të më keqtrajtonte e të më shantazhonte, deri në orët e vona. Në mëngjesin e 24 prillit, me nxorrën nga biruca dhe më çuan në katin e dytë, në dhomën e hetuesisë. Në atë dhomë isha përballë hetuesëve që aspak nuk ju interesonte e vërteta. Por vazhdonin të më thonin se: ‘isha një armik i përbetuar i pushtetit popullor’ dhe që kishin bindje që nuk do të pranoja as gjë, ‘por ta tregojmë ne’, më drejtoheshin. Kështu, kush e kush mundëte më shumë, të tregonte zellin përpara njëri – tjetrit, duke më kërcënuar dhe duke më goditur.
Ai i njihje ata persona se kush ishin?
Ata ishin: Zeqir Maçka, Xhelil Xhikollari e Përparim Ibrahimi. U mundova t’u tregoja atyre përbindëshave, që kur isha në punë fizike në Bradashesh, kisha punuar me një punonjës të lartë të tyre, që punonte në Komitetin Ekzekutiv të Elbasanit, e doja që t’i tregoja që nuk ishin akuza të vërteta, ato për të cilat po më torturonin dhe po më akuzonin. Por ishte e pa mundur, pasi Zeqir Maçka u ngrit nga karrigja i zhindosur dhe mu drejtua, duke më ofenduar e duke më goditur përsëri.
Sa kohë zgjati hetuesia juaj?
Hetuesia vazhdoi itensivisht, ditë e natë, me tre turne, 18-19 orë në ditë, me javë e muaj të pa ndërprerë, duke më torturuar me të gjitha mënyra. Zeqir Maçka ishte më i zellshmi në tortura, ndërsa të tjerët, jo në përmasat e Zeqirit./Memorie.al
Vijon nesër